Lajme
Kundërkorrupsioni akoma nuk ka folur për rastin e OJQ-së së themeluar nga Nazlie Bala që përfitoi fonde nga ministria ku punon
Demokracia
13:15 | 27 Maj 2024

Share:

Nazlie Bala është këshilltare politike e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Bala, që njihet për afërsinë e madhe me Haxhiun, kishte themeluar një OJQ në vitin 2000 së bashku me motrën e saj, Nazifen. Në mesin e OJQ-ve që u shpërblyen me mjete financiare nga Ministria e Drejtësisë për fushën e shërbimeve sociale dhe familjare për vitin 2024 ishte edhe OJQ-ja e themeluar prej saj, “Qendra për Mbrojtjen dhe Rehabilitimin e Grave dhe Fëmijëve – Liria, Gjilan”. Drejtoreshë, respektivisht koordinatore në këtë organizatë vazhdon të jetë motra e Nazlie Balës, Nazifja, shkruan Demokracia.com.

Qendrat për punë sociale shihen si të mirëqena në punën e tyre që bëjnë në Kosovë, por një raportim i Demokracia.com ka hedhur dyshime se në këtë rast mund të ketë konflikt të interesit, pasi nuk dihet nëse Bala është akoma pjesë e OJQ-së apo jo.

Bazuar në listën e OJQ-ve, në këtë institucion nuk figuron askund se kush është në Bordin Drejtues të saj apo në ndonjë pozitë tjetër. Aty figuron që është koordinatore vetëm Nazife Jonuzi, motra e Nazlies. Kurse vetë Nazlie Bala figuron si themeluese.

Demokracia.com ka pyetur në Ministrinë e Punëve të Brendshme se kush janë anëtarë të Bordit dhe drejtuesit e tjerë ekzekutivë të regjistruar në organizatën e themeluar në vitin 2000 “Qendra për Mbrojtjen dhe Rehabilitimin e Grave dhe Fëmijëve – Liria, Gjilan”. Ky institucion në kuadër të të cilit ekziston Departamenti për Organizata Joqeveritare, nuk ka kthyer përgjigje tash e pesë ditë.

Demokracia.com ka kërkuar një përgjigje edhe nga ana e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (AKP) nëse: “Një këshilltare politike e një ministri/je, para shumë viteve ka themeluar një OJQ që ka të bëjë me shërbime sociale. Emri saj si themeluese shihet edhe në listën e OJQ-ve. Pra, pozita e saj aty figuron vetëm si themeluese, ndërsa motra saj është koordinatore. 1. A është konflikt interesi, nëse ajo OJQ merr mbështetje financiare nga ministria ku punon këshilltarja. Pra, a ka konflikt nëse OJQ-ja e themeluar nga këshilltarja, para se të jetë këshilltare, merre fonde në thirrjet publike nga ministria ku punon ajo tash?”. AKP-ja akoma nuk ka dhënë përgjigje në këtë pyetje të drejtuar para gjashtë ditësh.

Demokracia.com kishte kërkuar një përgjigje edhe nga Ministria e Drejtësisë lidhur me shumën e ndarë të mjeteve financiare veçmas për këtë organizatë dhe kishte pyetur lidhur me konfliktin e interesit, sepse nga i njëjti institucion është shpërblyer me paranë publike një OJQ, e cila ka themeluese këshilltaren e ministres dhe aktualisht drejtoreshë aty është motra e saj.

As ministria e Albulena Haxhiut nuk ka kthyer përgjigje. /Demokracia.com/

Lexo edhe:

SKANDALOZE | Ministria e Albulena Haxhiut i jep fonde OJQ-së që e themeloi këshilltarja e saj Nazlie Bala dhe tani udhëhiqet nga motra e saj (DOKUMENTE)

 

FOTO | Edhe komuna e Alban Hysenit i dha 40 mijë euro nga investimet kapitale për OJQ-në që e themeloi këshilltarja e ministres Albulena Haxhiu, Nazlie Bala

 

Të ngjashme
Lajme • 17 Qershor 2024