Lajme
Avancimi i statusit të Kosovës, Konjufca: NATO është destin i Kosovës
Demokracia
14:04 | 27 Maj 2024

Share:

Kryeparlamentari Glauk Konjufca i ka uruar qytetarët pasi Asambleja Parlamentare e NATO-s e miratoi rekomandimin për avancim të statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar.

Konjufca shkruan në Facebook se “Republika e Kosovës është një histori suksesi e NATO-s, e interesave dhe qëllimeve të tij, ndërsa NATO është destin i Kosovës”.

“Vendim i shkëlqyer i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që Kuvendit të Republikës së Kosovës i jep statusin e anëtarit të asociuar në AP të NATO-s. Urime të gjithë qytetarëve tanë dhe mirënjohje të gjithë anëtarëve të AP të NATO-s, që me votën e tyre e jetësuan këtë arritje shumë të rëndësishme!”, shkroi Konjufca.

Ai e falënderoi veçanërisht Delegacionin e Kuvendit të Kosovës në AP të NATO-s.

“Përpjekja dhe angazhimi maksimal i këtij delegacioni u finalizua me këtë sukses të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe shtetit tonë në tërësi”, shkroi Konjufca.

“Hapat në këtë frymë na gëzojnë dhe na e shtojnë më tej përgjegjësinë dhe përkushtimin në drejtim të paqes dhe stabilitetit, vlerave dhe synimeve të përbashkëta”, shkroi kryeparlamentari.

Të ngjashme