Lajme
Shteti nuk zbaton kontratën kolektive, me vendime gjyqësore humbë milionat
Demokracia
20:24 | 04 Shkurt 2024

Share:

Moszbatimi i kontratave kolektive të cilat u lidhën ndër vite nga qeveria e Kosovës me një pjesë të punonjësve të sektorit publik, vazhdojnë të moszbatohen. Kështu, shteti po humbë dhjetëra miliona euro në procese gjyqësore, të cilat po fitohen lehtësisht nga palët që po ushtrojnë padi.

Një pjesë e madhe e sirtarëve të gjykatave në Kosovë, janë të mbushura me lëndë të vetëm një lloji.

Padi të dorëzuara nga mësimdhënës, mjekë e punonjës të tjerë të sektorit publik për mospërmbushje të obligimeve që dalin nga kontrata kolektive.

Bledor Shatri, zyrtar ligjor në Sindikatën e Arsimit, tregon se pothuajse të gjithë mësimdhënësit kanë dorëzuar padi.

“Statistikat janë shumë të larta për shkak se pas një takimi që e kemi pasur me kryetarin e Këshillit Gjyqësor, kemi marrë informacion se të paktën 60 mijë lëndë janë të deponuara në gjykatat themelore në krejt Kosovën nga sektori i arsimit. Që në bazë të statistikave, përafërsisht 30 mijë të punësuar në sektorin e arsimit në Kosovë, i bie që një mësimdhënës ka paraqitur më shumë se një padi, dy padi e më shumë në gjykatat në Kosovë”, ka thënë Blendor Shatri – Zyrtar Ligjor SBASHK.

Në lidhje me numrin e lëndëve që kanë të bëjnë me kontratat kolektive, televizioni Dukagjini ka dorëzuar disa pyetje në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, mirëpo nuk ka pranuar përgjigje konkrete.

Megjithatë, Hasan Shala, tash avokat e dikur kryetar i Gjykatës së Apelit, konfirmon se numri i përgjithshëm i lëndëve të kësaj natyre, është shumë i lartë.

“Asnjëherë institucionet kontraktuese apo shtetërore nuk i kanë përmbushur obligimet që i kanë ndërmarrë me këto marrëveshje apo me kontratat kolektive. Për këtë arsye punonjësit janë detyruar që të ushtrojnë padia nëpër gjykata, duke i ngarkuar kështu me punë. Sipas informatave jo zyrtare janë përmbi 100 mijë lëndë të cilat i kanë ushtru punonjësit nëpër gjykatat e Kosovës”, ka deklaruar Hasan Shala – Ish-kryetar i Gjykatës së Apelit.

Dëmet financiare llogaritet të jenë dhjetëra milionëshe, pasi Shala thekson se shpenzimet procedurale po e rrisin koston e shpenzimeve prej rreth 30 përqind.

“99 përqind e këtyre lëndëve janë aprovu nga gjykata. Vetëm ato lëndë në të cilat palët nuk i kanë përmbushur obligimet siç i parasheh kontrata janë refuzu, mirëpo shumica e këtyre lëndëve janë miratuar nga ana e gjykatës dhe i kanë detyru institucionet që t’i kompensojnë ato obligime që i kanë marrë në bazë të marrëveshjes apo kontratës kolektive”, ka përfunduar Hasan Shala – Ish-kryetar i Gjykatës së Apelit.

Disa prej obligimeve që dalin nga kontrata kolektive janë kompensimi për ushqim për ditët e pranisë në punë, paga jubilare e paga përcjellëse për punëtorët që dalin në pension.

Në nëntor të vitit 2022, Ministria e Arsimit njoftoi se e ka shkëputur kontratën kolektive me SBASHK-un.

Të ngjashme