Sport
Shaqiri: Rezultati ndaj Kamerunit mund të ishte më i thellë, por e rëndësishme fitorja
Demokracia
14:41 | 24 Nëntor 2022

Share:

Reprezentacioni i Zvicrës, pjesë e të cilës janë edhe tre futbollistët shqiptarë, e kanë nisur me fitore rrugëtimin në Kupën e Botës “Katar 2022” në ndeshjen kundër Kamerunit.

“Helvetikët” triumfuan 1:0 ndaj kombëtares afrikane në “Al Janoub Stadium”.

Mesfushori shqiptar, Xherdan Shaqiri që asistoi te goli i fitores tha pas ndeshjes se rezultati ka mundur të jetë më i thellë, por sipas tij, e rëndësishme është që fituan.

“Ne donim të kishim një fillim mbarë. Të dyja skuadrat nuk luajtëm mirë. Por, ishim më të mirë në pjesën e dytë dhe arritëm të shënojmë gol. Mund të ishte 2:0 ose 3:0. E rëndësishme është që tashmë kemi përmbushur detyrën, por ne nuk kemi një grup të lehtë”, ka thënë Shaqiri pas ndeshjes.

Pjesë e 11-shes startuese te Zvicra ishte edhe kapiteni Granit Xhaka që u paraqit për 90 minuta.

Shaqiri u zëvendësua në minutën e 72-të, ndërkaq Xhaka luajti për 90 minuta.

Zvicra dhe Kameruni janë pjesë e Grupit G së bashku me Brazilin dhe fqinjin verior të Kosovës, Serbinë./Demokracia.com/

Të ngjashme