Lajme
Pas dyshimeve për keqpërdorim, konstituohet komisioni hetimor për subvencionimin e teksteve shkollore
Demokracia
14:37 | 26 Prill 2024

Share:

Komisioni hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të teksteve shkollore e mjeteve mësimore për vitin shkollor 2023/2024, ka arritur të konstituohet.

Kryesuesi i këtij komisioni, Shemsedin Dreshaj ka thënë se ky komision ka për qëllim të evidentojë se a ka pasur lëshime në subvencionimin e teksteve shkollore apo jo.

“Ky komision veprimtarinë e ka të aprovuar në ligjin për hetim parlamentar qëllimi tij është të shohim si ka shkuar ky proces a ka lëshime apo ka qenë çdo gjë në rregull. Kanë qenë  informatat në opinion për dështimin me kohë të teksteve shkollore, rreth kostove dhe mënyrës së blerjeve, shpërndarjes, ka qenë një opinion me dëmtimin e buxhetit të shtetit gjatë këtij procesi”, tha Dreshaj

Në anën tjetër, deputetja Vlora Dumoshi është shprehur e shqetësuar me gjendjen aktuale në arsim, duke shtuar se shumë nxënës kanë humbur mijëra orë shkaku i mungesës së librave, transmeton Klankosova.tv

“Është e dhimbshme që për tre vite kjo qeveri ka bërë që procesi mësimor të mos fillojë me kohë, nxënësit kanë humbur me mijëra orë për shkak të mungesës se librave. Jemi të vetëdijshëm qe edhe sot shumë nxënës nuk i kanë librat”, ka thënë ajo.

Kuvendi i Kosovës më 4 prill themeloi Komisionin hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe të mjeteve mësimore për vitin shkollor 2023/2024.

Themelimi i këtij komisioni ishte propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Të ngjashme