Lajme
Serbi i arrestuar në Hungari për krime lufte në Kosovë, para gjykatës më 1 mars: Detaje për rastin
Demokracia
21:00 | 26 Shkurt 2023

Share:

Savo Stefranoviq, qytetar serb i arrestuar për krime lufte në Pejë, do të paraqitet para gjykatës më 1 mars. Në këtë seancë do të vendoset nëse ai do të ekstradohet në Kosovë sipas kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë, apo do të ketë ndonjë vendim tjetër.

Lajmin për mbajtjen e kësaj seance e ka konfirmuar Gjykata e Budapestit në një përgjigje për gazetën Nacionale.

“Me këtë ju njoftojmë se më 1 mars do të zhvillohet gjykimi për rastin e ekstradimit të një personi të dyshuar për krime lufte të kryera në Pejë në vitin 1999. Gjykimi do të fillojë në ora 8:30 në Gjykatën Metropolitane të Budapestit”, thuhet në përgjigjen.

Savo Stefravnoqi, i arrestuar në Hungari para disa muajsh, dyshohet për kryerjen e krimeve të luftës në lagjen “Kristal” të Pejës. Urdhëresa ishte lëshuar edhe nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Këtë e kishte konfirmuar kryeprokurori i Speciales, Blerim Isufaj.

Pas arrestimit, Ministria e Drejtësisë kishte dërguar kërkesë zyrtare për ekstradimin e këtij të dyshuari në Kosovë. Kështu kishte konfirmuar vetë Gjykata në Hungari.

“Lidhur me kërkesën tuaj, ju njoftojmë se kërkesa për ekstradim dhe dokumente të tjera kanë mbërritur në Gjykatën Metropolitane të Budapestit. Së shpejti do të caktohet një datë e re e gjykimit. I dyshuari është ende në arrest të përkohshëm”, thuhej në përgjigjen e Gjykatës së Hungarisë.

Për çka dyshohet Stefranoviq?

Prokuroria e Hungarisë e kishte arrestuar një serb të dyshuar për krime lufte në Kosovë.

Në një deklaratë nga Prokuroria e përgjithshme e Budapestit për agjencinë e lajmeve hungareze (MTI), thuhet se i akuzuari është arrestuar mbi urdhër-arrestin ndërkombëtar të lëshuar nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Urdhër-arresti është lëshuar shtatorin e kaluar për shkak të krimeve të luftës të kryera kundër popullatës civile, thuhet në deklaratën ku informohet se i dyshuari dhe dy shokët e tij akuzohen për përfshirje dhe ndihmë në sulmin e vitit 1999 që ka rezultuar me vdekjen e 33 civilëve në zonën Kristal në Pejë të Kosovës.

Më tej në deklaratë bëhet e ditur se gjykata hungareze, do të shqyrtojë procesin e ekstradimit të të dyshuarit dhe se Prokuroria nëpërmjet Ministrisë hungareze të Drejtësisë do të kalojë në kontakt me autoritetet gjyqësore të Kosovës.

48-vjeçari serb ka refuzuar ekstradimin në Kosovë. Ai dyshohet se ka marrë pjesë në një aksion të forcave serbe në lagjen ‘Kristal’ të Pejës, ku ishin vrarë 33 civilë kosovarë.

“Sipas të dhënave në dispozicion, serbi është mashkull dhe dyshohet me arsye se më 26, 27, 28 dhe 13 maj 1999, dha ndihmë në lagjen Kristal të Pejës, mori pjesë në të shtënat kundër civilëve, që rezultuan me vdekjen e 33 shqiptarëve të Kosovës. Tek të akuzuarit dënimi maksimal i mundshëm është burgimi i përjetshëm”, thuhej në përgjigjen e Gjykatës së Hungarisë për Nacionalen.

Detaje për këtë rast, kishte dhënë edhe Kryeprokurori i Speciales, Blerim Isufaj.

“Po, ne e kemi lëshuar urdhër-arrestin. Është i dyshuar për krime lufte në regjionin e Pejës”, kishte thënë Isufaj për Nacionalen.

Përderisa në Hungari u arrestua një serb i dyshuar për krime lufte në Pejë, në Kosovë pikërisht për krimet në këtë komunë, janë dorëzuar dy kallëzime penale.

Ato janë dorëzuar nga avokati Kujtim Kërveshi bashkë me zyrën e tij të avokatisë. Në një komunikatë për media, bëhej e ditur se dosjet përmbajnë prova të krimeve që janë kryer në këtë zonë.

“Sot, shoqëria e avokatisë Kërveshi&Partners me seli në Prishtinë, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës ka dorëzuar dy kallëzime penale për krime lufte dhe krime kundër njerezimit të kryera ndaj popullatës shqiptare të pa armatosur në Pejë nga pjestar të forcave të rregullta të armatosura të Serbisë dhe ish-Jugoslavisë”

Për krime lufte në Pejë ishte dënuar Zoran Gjokiq. Avokat i viktimave në këtë proces ishte Kujtim Kërveshi, që kishte vendosur ta merrte rastin pa pranuar kompensim.

Të ngjashme