Lajme
DOKUMENT | Komuna e Prishtinës shpalli fituese të tenderit 947 mijë euro kompaninë e familjarëve që Përparim Rama takoi para pesë ditësh
Demokracia
17:50 | 25 Maj 2024

Share:

Komuna e Prishtinës ka shpallur rezultatin për tenderin “Ndërtimi i rrugës Nekibe Kelmendi – faza III”, shkruan Demokracia.com.

Në e-prokurim është publikuar njoftimi se Komuna e Prishtinës ka rekomanduar për kontratë në mesin e tri ofertave, grupin e kompanive “Lika Trade” shpk & “Lika Company”. Vlera e ofertës së këtij grupi ka qenë 947, 783, 75 euro ose rreth 2000 euro më e lirë se e kompanisë “Bageri”. Kriter kryesor për dhënie të kontratës nuk ka qenë çmimi më i ulët, por “Tenderi ekonomikisht më i favorshëm”, çka do të thotë se pos çmimit, me pikë njëjtë është vlerësuar plani dinamik dhe garancia.

Kompanitë janë në pronësi të biznesmenëve Lika, përkatësisht Sali, Fadil e Jahir Lika.

Një i afërm i tyre, biznemeni i njohur Esat Lika e ka një kompani të tillë edhe në Zvicër.

Para pesë ditësh, kryetari Prishtinës ka njoftuar është takuar edhe me Esat Likën, pronarin e Lika Holding AG. Rama ka thënë se më të kanë diskutuar për mundësitë e investimit dhe zhvillimit të projekteve në kryeqytet.

“Në vazhdën e takimeve me investitorë potencial, sot pata kënaqësi të pres arkitektin e mirënjohur botëror Marco Casamonti bashkë me përfaqësuesit e Lika Holding AG, një kompani e suksesshme që operon në Zvicër, themeluar dhe menaxhuar nga z. Esat Likaj. Pas organizimit të Konferencës së Investitorëve në janar të këtij viti, shumë investitorë kanë shprehur gatishmëri të investojnë dhe të bëjnë projekte zhvillimore në Kryeqytet. Në këtë kontekst, me Marcon dhe përfaqësuesit e Lika Holding AG diskutuam mundësitë e investimit dhe zhvillimit të projekteve në Kryeqytet. Përveç zhvillimit të Kryeqytetit, iniciativat sikur kjo synojnë avancimin e bashkëpunimit me diasporën tonë dhe krijimit të kushteve për investim të kapitalit të diasporës në Kosovë”, ka shkruar kryetari Përparim Rama.

Rama ka marrëdhënie të mirë shoqërore edhe më ish-ministrin Armend Mehaj. Bazuar në fotografitë e publikuara, Mehaj e Rama janë takuar në Norvegji para dy muajsh.

Ish-ministri Mehaj i ka nipa biznesmenët Lika, të cilët janë rekomanduar për kontratë.

Ndonëse tash është ngarkuar në E-prokurim rezultati i ‘njoftimit për dhënie të kontratës’ “Ndërtimi i rrugës “Nekibe Kelmendi “ faza III”, nuk pritet të ketë ankesa, pasi në formularin e këtij njoftimi shkruan se data e planifikimit të nënshkrimit të kontratës është data 23 maj 2023, konkretisht pardje. /Demokracia.com/

Të ngjashme