Lajme
Prilli i Komunës së Prishtinës: Hetime të policisë për krime ekonomike, 2.8 milionë euro investime kapitale dhe 10 mijë euro për telefonët mobilë
Demokracia
14:07 | 10 Maj 2024

Share:

Prilli është muaji kur institucionet publike mund të fillojnë me investimet në projektet kapitale. Komuna e Prishtinës e ka nisur vitin shumë ngathtë në realizmin e kësaj kategorie. Muaji i kaluar u karakterizua kryesisht me shpenzim të buxhetit në paga, mallra, shërbime dhe shpenzime komunale, shkruan Demokracia.com.

Ka dalur përmbledhja e përgjithshme e mbarëvajtjes/ecurisë së punës në Komunën e Prishtinës për muajin prill. Demokracia.com e ka parë raportin e hartuar nga Drejtoria e Financave.

Pos tjerash, në këtë raport është theksuar se policia për krimet ekonomike po troket kohë pas kohë në komunën e drejtuar nga Përparim Rama.

“Kemi auditime nga auditorët e ndryshëm të cilët kërkojnë qasje në dokumente zyrtare dhe nga Policia e Përgjithshme, Departamenti i Krimeve Ekonomik”, kanë shkruar zyrtarët komunalë në raportin e muajit prill, kur janë pyetur për aktivitete që kanë në sektorin e tatimit në pronë, pa dhënë detaje më shumë.

2.8 milionë euro investime kapitale

Për muajin prill, Komuna e Prishtinës ka arritur të shpenzojë buxhetin në një vlerë prej 9,560,202.92 euro. Nga to, 4,014,398.53 euro janë për paga, 2,355,850.29 euro për mallra e shërbime, 124,720.82 euro janë shpenzime komunale, 174,953.00 euro subvencione, veç 2,890,280.28 euro janë shpenzime kapitale.

Për “Ndërtimi i objektit të Arhives së Komunës”, në muajin e kaluar janë shpenzuar 35,595.56 euro. Për “Ndërtimi i strehimores – parkut të qenve – Slivove”, 30,000.00 euro, për Rrugën A, 76,655.61 euro, Ndërtimi i tribunës KF “Ramiz Sadiku” – vazhdim faza I I, 28,295.80 euro, Asfaltimi i rrugëve – Hajvali, Sofali, Kolovicë, Vneshta, 449,754.71 euro. Ndërtimi i kiosqeve – Zona 1: Qendra- Tophane, Dodona, Bregu i Diellit, 60,819.55 euro, etj.

10 mijë euro për telefonë mobilë

Një pjesë të mirë të buxhetit, komunës po ia marrin shpenzimet komunale. Rreth 10 milionë euro ka shpenzuar administrata e komunës mbushje të telefonisë mobile. Fiks 9,694.99 euro është shuma e shpenzuar për vitin e kaluar. E gjithë shuma e paraqitur për shpenzime telefonike është 11 mijë e 455 euro.

Për një muaj, 14,665.00 euro janë shpenzuar naftë për vetura, raporton Demokracia.com.

Në Drejtorinë e Administratës ekzistojnë të shpenzuara 2,299.20 euro për dreka zyrtare. 11,328.30 euro naftë për ngrohje qendrore. Për ngrohjen qendrore në prill janë shpenzuar edhe 68,440 euro.

Një pjesë e mirë buxhetit ka shkuar në djegien e druve për shkolla. Fiks 104 mijë euro është shuma e shpenzuar veç në prill për dru.

23,515.00 euro janë për shërbimet e varrimit, etj.

Për vitin 2024, Komuna e Prishtinës ka paraparë të ketë të hyra 38,778,968.00 euro nga rreth 23 kategori. Në muajin prill kishte të hyra në vlerë prej 4,064,715.39 euro. /Demokracia.com/

Të ngjashme