Lajme
Italia përgëzon Kosovën për konvertimin e patentë shoferëve ilegalë në RKS
Demokracia
14:09 | 10 Maj 2024

Share:

Patentë shoferët e lëshuar nga strukturat ilegale serbe nga sot mund të konvertohen në patentë shoferë të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit të Ministria e Punëve të Brendshme, të gjithë qytetarët që posedojnë patentë shoferi të strukturave ilegale serbe mund të aplikojnë për patentë shoferi zyrtar të Republikës së Kosovës përmes aplikimit në formular elektronikë.

Ministria e Punëve të Brendshme ka vendosur që për këtë konvertim qytetarët serbë të mos detyrohen t’i nënshtrohen provimit për patentë shofer.

Aplikimi do të jetë i hapur deri më 9 gusht të këtij viti.

Për këtë, ka reaguar edhe Ambasada e Italisë në Prishtinë, duke përgëzuar Qeverinë e Kosovës.

“Ambasada e Italisë në Prishtinë përgëzon Qeverinë e Kosovës për përpjekjet e saj në lehtësimin e procedurave për të gjithë qytetarët për marrjen e patentë shoferëve. Ne mbështesim iniciativat që nxisin integrim më të madh dhe nxisin vizionin tonë të përbashkët për një Kosovë të larmishme dhe gjithëpërfshirëse”, thuhet në reagimin e Ambasadës italiane në platformën X.

Procedura për pajisje me patentë shoferi të Republikës së Kosovës zgjatë pesëmbëdhjetë ditë. Patentë shoferi i lëshuar nga strukturat serbe i kthehet aplikuesit si dokument i pavlefshëm dhe i njëjti pajiset me patentë shoferin e Republikës së Kosovës.

Të ngjashme