Sport
Raportimet për kalimin e Ramadanit te Llapi, Batatina me një veprim “zbulon” shumëçka
Demokracia
18:26 | 21 Nëntor 2022

Share:

Ditë më parë, në mediat kosovare ka qarkulluar një lajm se mesfushori i Gjilanit, Arbnor Ramadani në afatin kalimtar të janarit do të rikthehet te Llapi, raporton Demokracia.com.

Një raportim të tillë, nuk e pohoi as mohoi kryetrajneri i Llapit, Tahir Batatina në një deklaratë.

“Ramadani ka ende kontratë valide me Gjilanin dhe nuk është korrekte të flasim për këto gjëra tani. Arbnori i ka dyert e hapura te klubi ynë, por le të presim mbylljen e stinorit dhe pastaj vendimin e futbollistit”, kishte thënë Batatina më 7 nëntor për portalin “FrontOnline”.

Pikërisht Batatina ka dhënë edhe sinjale të tjera në lidhje me këtë transferim të mundshëm të Arbnor Ramadanit te Llapi, ndonëse ky i fundit ka kontratë me Gjilanin, klub të cilit iu bashkua këtë verë.

Gjegjësisht, Amrush Batatina, vëllau i Tahir Batatinës dhe dikur njëri nga drejtuesit e klubit llapjan, në një koment në Facebook u shpreh qartë se Ramadani do të ishte i mirëpritur në “Zahir Pajaziti”.

Komenti i ish-drejtorit të Llapit u pëlqye edhe nga kryetrajneri Tahir Batatina, duke lënë të hapur mundësinë e kalimit.

Në ndërkohë, rreth këtij transferimi është deklaruar edhe vetë Ramadani i cili ka mohuar zërat.

“Po shoh shumë lajme rreth të ardhmes time se kinse kam marrëveshje me ndonjë klub tjetër. Dua të them se unë jam futbollist i Gjilanit deri në këto momente dhe kam kontratë me klubin. Aktualisht jam i fokusuar 100 për qind ta përfundojë këtë gjysmë stinor me Gjilanin dhe normalisht se nëse rregullohet situata do të jem pjesë e klubit pasi kam kontratë afatgjate”, kishte deklaruar Ramadani më 17 nëntor për Gazetën Olle.

Arbnor Ramadani, 28-vjeçar, kaloi katër edicione te Llapi që kur ishte transferuar nga Drita e Gjilanit në verën e vitit 2018.

Llapi këtë edicion nuk po qëndron mirë në tabelë. Ata kanë grumbulluar 19 pikë dhe pozicionohet në vendin e shtatë./Demokracia.com/

Të ngjashme