Barazia
Raportimet për dhunë seksuale, iniciohet projekti “Mjaft më”
Demokracia
11:46 | 20 Maj 2021

Share:

Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Jugu, me qëllim të parandalimit të rasteve të sulmeve seksuale, ngacmimeve seksuale dhe veprave tjera penale kundër integriteti seksual, ka iniciuar projektin të emërtuar ,,Mjaft më” .

Në këtë projekt janë të përfshira institucionet: Policia e Kosovës, Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe Gjykata Themelore në Mitrovicë. Po ashtu në projekt janë të përfshirë edhe shoqëria civile/OJQ-të si dhe komuniteti fetar në bashkëpunim dhe koordinim me Drejtorinë Komunale të Arsimit në Mitrovicë.

Qëllimi kryesor i realizmit të këtij projekti është që përmes ligjëratave në institucionet shkollore të arsimit të mesëm si dhe aktiviteteve të ndryshme që parashihen me këtë projekt, të ndikohet në vetëdijesimin e të rinjve (me theks të veçantë nxënësve të arsimit para universitar mirëpo dhe të shoqërisë në përgjithësi) për parandalimin e këtyre rasteve e poashtu edhe për mënyrat e raportimit të menjëhershëm të tyre tek institucionet përgjegjëse.

Me datë 17.05.2021, ka filluar faza e parë e realizimit të projektit me ligjërata nga hetues policorë dhe trajnues të policisë nga fusha përkatëse si dhe prokurorë për të mitur nëpër shkollat e mesme e ditëve në vijim do të vazhdohet me ligjërata edhe me gjyqtar për të mitur dhe pedagog të shkollave të mesme të angazhuar nga ana e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Mitrovicë.

Në kuadër të përgatitjes dhe koordinimit të aktivitete, dje me datë 19.05.2021, Drejtori i DRP-Mitrovicë Jug Kolonel Aferdita Mikullovci, ka pritur në objektin e DRP-së Mitrovicë Jug, në një vizitë dy OJQ të Mitrovicës së bashku me nxënës të Edukimit Qytetar të cilët janë pjesë e projektit ,,DreamBig” e të cilët do të japin kontributin e tyre në realizmin e projektit të iniciuar nga DRP-Mitrovicë Jug. Në takim është akorduar për aktivitet që do të përgatiten nga këta nxënës dhe për kontributin që ata mund të ofrojnë në realizimin e projektit ,,Mjaft më”.

Në fazën e dytë do të përfshihet shoqëria civile ku parashihet të mbahen fushata sensibilizuese, shpërndarje e broshurave dhe fletushkave me mesazhe vetëdijesuse për parandalimin e këtyre rasteve. Gjithashtu në këtë fazë pritet kontributi i komunitetit fetar të tri konfeksioneve fetare në Mitrovicë, të cilët do të mbajnë ligjërata për këtë temë nëpër objektet e kultit.

Në fazën e tretë është planifikuar që të vazhdohet me aktivitete si: defilimi i grup-moshave të reja me mesazhe vetëdijesuse, shfaqje e video-spoteve dhe përmbyllje e aktiviteteve të projektit me datën 1 Qershor 2021, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve .

Gjatë këtyre aktiviteteve, pjesëmarrësit do të njoftohen që për raportimin e menjëhershëm të këtyre rasteve mund të shfrytëzojnë aplikacionin ,,Lajmëro Policinë” të lansuar kohë më parë nga Policia e Kosovës si dhe aplikacionin ,, Ec shlirë” i cili aplikacion është lansuar nga Agjencia për Barazi Gjinore për raportimin e ngacmimeve seksuale.

Të ngjashme
Barazia • 18 Janar 2022