Lajme
Radhë të gjata te salla “1 Tetori”, kaq punonjës shëndetësor u vaksinuan deri më sot
Demokracia
17:47 | 01 Prill 2021

Share:

Ka vazhduar edhe gjatë ditës së sotme vaksinimi kundër COVID-19 i stafit mjekësor, duke bërë kështu që numri i të vaksinuarve të arrijë mbi 600 punonjës shëndetësorë.

Mesditën e sotme para sallës “1 Tetori” kishte edhe radhë të gjata të infermierëve, mjekëve dhe stafit spitalor, të cilët që nga fillimi i pandemisë ishin në vijën e parë në përballje me virusin COVID-19, raporton Demokracia.com.

Ndërsa, sipas të dhënave, deri më tani, gjatë ditës së sotme janë vaksinuar 58 mantelbardhë, duke bërë kështu që shifra e të vaksinuarve të arrijë në mbi 600 punonjës shëndetësorë që kanë marrë vaksinën AstraZeneca që nga fillimi i këtij procesi më 29 mars.

Vaksinën pritet që ta marrin edhe 750 persona që janë staf mjekësor nga klinika Pulmologjisë, Endokrinologjisë, Reumatologjisë, Mjekësia Sportive dhe ajo e Anesteziologjisë.

Gjatë ditës së djeshme, janë vaksinuar me kundër COVID edhe mjekët dhe infermierët e Shërbimit Shëndetësor të Policisë së Kosovës.

Sipas njoftimit të Drejtorisë së Shërbimeve Shëndetësore, Policia e Kosovës ka hartuar Planin e veprimit për vaksinimin e personelit policorë me rrezikshmëri të lartë kundër COVID-19 dhe trajnimin e stafit mjekësor të kësaj drejtorie për aplikimin e vaksinimit, gjithnjë në koordinim me Komitetin për Vaksinim me vaksinë kundër COVID-19 në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas Planti Shtetëror të Vaksinimit kundër COVID-19, në fazën e parë përveç stafit mjekësorë do të vaksinohen dhe personat mbi 80 vjeç edhe ata me sëmundje kronike, të cilët duhet të aplikojnë online, e më pas të hynë në radhë që të vaksinohen.

Kujtojmë se të dielën në aeroportin “Adem Jashari”, erdhi kontingjenti i parë prej 24 mijë dozave të vaksinës kundër COVID-19, përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Personi i parë i cili u vaksinua ishte kryeministri Albin Kurti. Menjëherë pas tij janë vaksinuar edhe infektologu i njohur Salih Ahmeti dhe drejtoresha e OBSH-së në Kosovë, Isme Humolli.

Ndërsa, lajm i mirë është se nga programi i UNICEF-it është bërë e ditur se deri në muajin maj, në Kosovë do të arrijnë edhe 76 mijë e 800 doza të vaksinës kundër COVID-19./Demokracia.com/

Të ngjashme