Lajme
Qytetarët kosovarë maltretohen me orë të tëra në kufijtë e Serbisë
Demokracia
19:55 | 17 Prill 2024

Share:

Autoritetet e Serbisë kanë nisur të lirojnë qytetarët kosovarë të kalojnë kufirin në pikën kufitare Kroaci-Serbi, pas bllokimit me orë të tëra që u kishin bërë atyre pa arsyetim. Qytetarët tregojnë maltretimin, e për këtë ka reaguar edhe kryeministri Kurti.

Zhgënjimi që Serbia pësoi mbrëmë kur Kosovës iu dha drita e gjelbër për në Këshill të Evropës, duket se ngjalli reagim të shpejt.

Menjëherë mbrëmë, ngjashëm në kufijtë e Serbisë për në Hungari e Kroaci, kosovarët nisën të ndalohen, kontrollohen e maltretohen pa arsyetim, e kjo zgjati deri të martën në orët e mbrëmjes.

Ka pasur të tillë që kanë qenë të shtyrë në moshë e me probleme shëndetësore, që e ka vështirësuar situatën e ka shqetësuar udhëtarët e vozitësit e autobusëve.

“Për çdo autobus të Kosovës që kemi ardhur këtu na kanë thënë se janë dy apo tre persona të dyshuar…Veç e kanë bërë që kishe të shohin prej ku vjen dhe ku do të shkojë…Prej orës 23:00 mbrëmë e deri tash (kemi mbet në kufi)…Asnjë pasagjerë nuk e kanë marrë, të gjithë siç kanë qenë janë…Letërnjoftimet na kanë marrë të gjithëve dhe jemi në pritje të tyre.. Nuk e dimë se çfarë po bëhet, është shumë keq për neve, sepse ka mbaruar edhe ushqimi tashmë”, ka thënë Euron Llugaliu – Shoferi i një kompanie të autobusëve.

E kur po bëheshin rreth 20 orë, autobusët filluan të liroheshin.

“Jam tu udhëtu për Slloveni, na ndodhi qekjo, edhe qejo na ndodhi prej Serbisë. Me prit se kom pritë, bash qështu, prej Serbisë presim maltretime gjithmonë po bash qështu jo, pa asnjë arsye, e pyetshe për cfare, thoshin nuk e dimë”, ka thënë Azem Qovanaj – Udhëtar.

Për këtë ngjarje kryeministri Albin Kurti tha se kishte paralajmërim të Vuçiqit, e reagim pati edhe zëvendësja e tij, Donika Gërvalla.

“Ata duhet të lirohen menjëherë dhe duhet t`iu mundësohet që qindra shqiptar të ngujuar, të arrestuar nga autoritetet e Serbisë qoftë ndërmjet kufirit të Kosovës dhe Serbisë apo ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë t`iu mundësohet dhënia e ushqimit dhe medikamenteve meqenëse për disa prej tyre po bëhen 24-orë të cilët mbahen të ngujuar dhe mesin e tyre janë fëmijë që sigurisht vuajnë më së shumti këtë gjendje kriminale, që është bërë me urdhër nga Beogradi, pra dëgjojeni me vëmendje se çfarë ka thënë presidenti i  Serbisë kur ka vizituar njësitin Special të Ushtrisë serbe “Kobra” dhe aty do ta kuptoni se ajo çfarë po ndodh sot ka qenë e paralajmëruar për ne”, ka thënë kryeministri Kurti.

Vazhdimisht Serbia ka shkelur marrëveshjet me Kosovën në kuadër të dialogut, përfshirë atë për lëvizjen e lirë.

Të ngjashme