Lajme
“Altinget”: Kosova mund ta mashtrojë Danimarkën
Demokracia
10:13 | 30 Prill 2024

Share:

Në një artikull të gazetës daneze “Altinget” kushtuar marrëveshjes midis Danimarkës dhe Kosovës, në bazë të cilës shteti danez do të huazojë rreth 300 burgje në Kosovë, ngriten shqetësime se Danimarka “mund të mashtrohet” nga Kosova, përkundër se ekzekutivi danez respektoi pjesën e vet të marrëveshjes dhe transferoi mbi 1 milion e 700 mijë euro.

Kosova dhe Danimarka u pajtuan që në Kosovë të vijnë 300 të burgosur nga Danimarka, në këmbim të një tarife vjetore prej 15 milionë eurosh. Megjithatë, pas më shumë se tre vitesh ekzistojnë  paqartësi sepse marrëveshja ndërmjet Danimarkës dhe Kosovës nuk është miratuar akoma nga Kuvendi i Kosovës, kujtoi gazeta e njohur daneze në këtë artikull.

“Skenari më i keq është që qelitë të mos i dorëzohen kurrë Danimarkës dhe që Kosova të tërhiqet nga marrëveshja sepse me sa duket nuk ka asnjë obligim ligjor sa i përket mbështetjes që ne tashmë ua kemi transferuar”, deklaroi përfaqësuesi ligjor i Aleancës Liberale (LA), Steffen Larsen, duke shtuar se Danimarka “pothuajse është marrë peng” nga Kosova.

Prandaj edhe demokratët danezë (DD) shprehën frikën se qeveria do të “mashtrohet”. Zëdhënësja e DD-së, Betina Kastbjerg, duke komentuar mbi marrëveshjen që të burgosurit e huaj të dërgohen në një burg në qytetin e Gjilanit, theksoi se pret që Kosova të respektojë marrëveshjen, ndërsa kërkoi nga Ministria e Drejtësisë ta “marrë nën kontrollë” situatën.

“Kur ne kemi respektuar pjesën tonë të marrëveshjes, sigurisht pres që edhe Kosova të bëjë të njëjtën. Prandaj pres që edhe Ministri i Drejtësisë ta marrë nën kontroll këtë situatë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të fillojmë të dërgojmë kriminelët e dënuar me deportim në Kosovë”, potencoi Kastbjerg.

Të ngjashme