OpEd
Qeveria proteston kundër vetvetes
Demokracia
12:20 | 30 Gusht 2021

Share:

Shkruan: Bekim Çollaku

E kishin filluar duke kundërshtuar dhe protestuar pothuajse ndaj të gjitha proceseve më të rëndësishme në Kosovë. Kundërshtuan marrëveshjen e Rambujesë, e cila mundësoi që aleanca më e fuqishme ushtarake në botë, NATO ta bombardojë Serbinë dhe ta ndihmojë Kosovën për çlirim dhe ta fitojë lirinë.

Kundërshtuan dhe protestuan ashpër kundër Planit Gjithëpërfshirës për Statusin Përfundimtar të Kosovës, i cili mundësoi që Kosova në mënyrë të koordinuar ta shpallë pavarësinë e saj dhe të njihet ndërkombëtarisht. Në emër të kinse nacionalizmit, kundërshtuan dhe përdhosën simbolet shtetërore për vite të tëra, derisa më në fund u ulën në kolltukët e butë.

Kundërshtuan dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mirëpo në mundësinë e parë, nxituan në takim me Vuçiçin, duke i harruar krejtësisht kushtëzimet paraprake. Kundërshtuan marrëveshjen e vetme kontraktuale me Bashkimin Evropian (BE), Marrëveshjen për Stabilizim Asociim (MSA), ndërsa tani thonë se është marrëveshje e mirë. Me veprimet e tyre të dhunshme, pamundësuan ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, e si rrjedhojë arritën t’i mbajnë qytetarët e Kosovës të izoluar. Protestuan në vazhdimësi kundër krimit dhe korrupsionit, ndërsa tani që janë vetë në qeveri, i mbyllin sytë dhe veshët e nuk i vërejnë skandalet e njëpasnjëshme. Simuluan sikur po e kundërshtonin themelimin e Gjykatës Speciale e ndërkohë nxituan t’i fërkonin duart dhe nuk bënë përpjekje minimale për ta fshehur entuziazmin e tyre kur ndodhën arrestimet. Premtuan se kur të vinë në pushtet, ata do të sjellin barazi, drejtësi, punësim, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie sociale. Por asgjë nga ato që kanë premtuar nuk po ndodhin.

Megjithatë, ka diçka me të cilën mund të mburren. Fatkeqësisht, qeveria aktuale ka arritur ta ruajë konsistencën e vet në aftësinë për të organizuar protesta. Përkundër faktit që dikujt mund t’i duket absurde që një qeveri të protestoj kundër vetvetes, kjo nuk i pengon ata që të organizojnë protesta në kërkim të fajësimit të të tjerëve për të gjitha gjerat e këqija që po ndodhin aktualisht në Kosovë. Aktualisht, Kosova është duke përjetuar një tragjedi kombëtare për shkak të numrit rekord të vdekjeve si pasojë e infektimit masiv në mungesë të vaksinimit. Kjo tragjedi po ndodh në kohën kur shtetet tjera po përgatiten të heqim shumë nga masat anti-Covid 19 sepse kanë arritur të vaksinojnë në përqindje të larta popullsinë e tyre. Mjerisht, në Kosovë, si rezultat i neglizhencës dhe keq menaxhimit të situatës nga ana e qeverisë aktuale, vetëm rreth 17% e qytetarëve të Kosovës kanë pasur fatin e mirë të vaksinohen. Nuk është çudi që në ditët e ardhshme qeveria edhe mund të organizojë një protestë dhe të ankohet për këtë përqindje kaq të ulët të të vaksinuarve.

Tragjedia që po i ndodh Kosovës mund të ndalet vetëm me rritjen e numrit të atyre që vaksinohen. Ndërsa numri i të vaksinuarve mund të rritet në rast se qeveria merr masa efektive në shërbim të këtij qëllimi, për shembull, duke filluar nga zgjatja e orarit të qendrave vaksinuese të cilat në rrethanat aktuale duhet të punojnë 24 orë në ditë gjatë 7 ditëve të javës (sigurisht me turne); pastaj mund të organizohen ekipe mobile për vaksinim. E, e natyrisht, në një situate emergjente sikur kjo, mund të angazhohet edhe FSK-ja për ta përshpejtuar këtë proces. Një gjë e tillë mund të ndodh lehtë sikur qeveria të marrë vendime urgjente dhe të sigurojë doza të mjaftueshme të vaksinave. Por, si duket qeveria ka vendosur që në mungesë të numrit të mjaftueshëm të vaksinave, të ndërmarrë masa të rrepta të izolimit dhe gjobitjes së qytetarëve, të cilat nuk respektojnë masat në fuqi. Duke bërë veprime të tilla, qeveria po tenton që jo-kompetencën për menaxhimin adekuat të pandemisë, ta mbulojë nëpërmjet kompetencës por të përdorur mekanizmat shtetëror për të mbyllur qytetarët brenda shtëpive dhe t’i gjobisë ata sa herë që nuk binden. Pra, qeveria heziton t’i vaksinojë qytetarët, duke preferuar izolimin dhe disiplinimin e tyre.

Bazuar në qasjen dhe strategjinë e tanishme, fare lehtë mund të kuptohet tendenca e qeverisë që në përpjekje për shfajësim për tragjedinë aktuale, gishtin ta drejtojë tek qytetarët e pafajshëm. Duhet të jemi të qartë: në Kosovë shifrat e ulëta të atyre që janë vaksinuar nuk janë rezultat i hezitimit për t’u vaksinuar, por rezultat i mungesës së vaksinave të mjaftueshme dhe keq menaxhimit të procesit të vaksinimit. Kjo situatë e dhimbshme kombëtare, kërkon bashkim të të gjithë potencialit tonë shtetëror që të tejkalohet me urgjencë. Përndryshe, retorika dhe populizimi që ishin strategjia kryesore që solli këtë qeveri në një pushtet absolut, duket qartazi që nuk mund të konsiderohen si masa për të parandaluar virusin vdekjeprurës në Kosovë. Mjerisht, Kosova dhe qytetarët po e paguajnë shumë shtrenjtë mungesën e një qeverie të përgjegjshme e cila në rend të parë, duhet të ketë të ruajtjen e shëndetit dhe shpëtimin e sa më shumë jetëve të qytetarëve të vet në këtë periudhë kritike.

Kosova nuk e ka merituar të rrëshqas në një tragjedi të tillë, sepse posedon buxhet të mjaftueshëm për blerjen e vaksinave dhe kapacitete të mjaftueshme njerëzore për vaksinimin masiv të popullsisë. Neglizhencës dhe indiferencës së menaxhimit adekuat nga qeveria aktuale, i gjithë personeli shëndetësor duhet t’i përgjigjet me përkushtim dhe përgjegjësi maksimale në përpjekje për të ulur numrin e infektimeve dhe vdekjeve, pavarësisht poshtërimit që iu bëhet atyre nga shuma lëmoshë që iu ofrohet nga qeveria si kompensim për punën e tyre heroike. Edhe ne si qytetarë duhet të ndihmojmë në tejkalimin e kësaj tragjedie. Qeveria mund të fle dhe të protestojë kundër vetvetes, por askush nga ne nuk do të duhej të flinim të qetë, përderisa nuk vaksinohet edhe qytetari i fundit.

Të ngjashme
OpEd • 23 Prill 2024