OpEd
Beteja këmbëngulëse e Ramës ndaj një reportazhi të RAI
Demokracia
08:27 | 25 Prill 2024

Share:

Nga Mero Baze

Kryeministri Edi Rama është përfshirë në një betejë këmbëngulëse ndaj një reportazhi të rëndomtë të Rai 3, rreth çështjes së investimit të qeverisë italiane për të sjellë emigrantët e paligjshëm afrikanë në Shëngjin, pas marrëveshjes Rama- Meloni.

Reportazhi nuk ka ndonjë të re për publikun shqiptar, por është e qartë që është një luftë politike kundër Melonit në Itali. Si shumica e raporteve të shtypit të huaj për një vend si Shqipëria, ata nuk thonë gjëra që ne nuk i dimë, apo nuk i ka thënë shtypi shqiptar, por meqë një pjesë e gjërave janë thënë në italisht, duken më të rëndësishme. E vërteta është se shtypi shqiptar ka shkruar gjëra shumë herë më të thelluara dhe më objektive kundër Ramës për këto histori.

Por përse Rama po këmbëngul kaq shumë të vazhdojë betejën publike me ta?

Vetëm dje dhe sot ai është shfaqur disa herë në shtypin italian, duke hedhur poshtë pretendimet e tyre.

Arsyeja kryesore është se duket që ndjehet i sigurt se procesi i baltosjes është me prapavijë politike nga një gazetari e njëanshme. Dhe janë së paku dy elementë. Sulmi ndaj Agaçit, i cili sulmohet pse ka qenë avokat i njerëzve të dënuar për drogë në Itali dhe së dyti, në censurimin dhe selektimin që u kanë bërë intervistave të marra në Shqipëri.

Sa i përket akuzave ndaj Agaçit, natyrisht ai nuk mund të ishte avokat i Papës, pasi Papa nuk ka nevojë për avokat. Duke e targetuar Agaçin, synimi është ta godasin marrëveshjen si një marrëveshje okulte mes njerëzve që janë marrë me nëntokën italiane, dhe jo si një marrëveshje transparente mes dy qeverive, që ka kaluar dhe provën e Gjykatës Kushtetuese.

Dhe këmbëngulja e Edi Ramës në këtë pikë, vjen thjesht nga fakti se ata kanë tejkaluar të drejtën për të sulmuar një zyrtar, të cilin dhe e kanë censuruar, dhe e paraqesin si pjesë e botës mafioze, meqë ka qenë avokat i njerëzve që kanë kryer krime të rënda në Itali.

Pretendimi tjetër që një ish- zyrtar i Antimafias paska blerë tokë tek një person problematik në Shqipëri dhe këtë ja paska rekomanduar Agaçi privatisht, është edhe më banal. Një ish- zyrtar i Antimafias, është personi i duhur për t’u pyetur kush janë mafiozët, nuk është personi që mund ta gënjesh kush nuk është mafioz apo njeri problematik.

Nga ana tjetër, Rama po këmbëngul të vazhdojë betejën me ta edhe për faktin se ata kanë fshehur opinionet e palës së akuzuar në këtë reportazh, ose dhe ato që i kanë dhënë, i kanë shtrembëruar.

Natyrisht që shpesh herë media e huaj kur raporton nga vende të vogla si Shqipëria, ka një lloj arrogance për të diktuar “fakte”, por në rastin konkret ata janë të dobët në mbrojtje, pasi po u duhet çdo ditë të bëjnë nga një tërheqje, duke provuar që kanë fshehur intervistat dhe që kanë devijuar përgjigjet. Ata nuk kanë punë me qeverinë shqiptare, pasi çdo gjë e kanë bërë të nxijnë qeverinë italiane. Por për ta bërë më të zezë pikturën e tyre, u janë dashur dhe këto spekulime.

Edi Rama nuk do guxonte ta bënte këtë betejë, sikur ata të ishin po kaq të ashpër, por më të kujdesshëm në spekulimet dhe selektivitetin e të dhënave që kanë marrë në Tiranë.

Se nga Tirana ka plot përvoja të përdorimit të shtypit të huaj për nevoja të brendshme.

Më 2017 u sajua që 1500 vagonë me lëndë helmuese u zbarkuan në Durrës dhe po shkonin drejt Pukës. Portali i familjes Berisha me një portal të sajuar në Itali, dhanë dhe “fakte”, por pastaj e pagoi shtrenjtë politikani italian që u përdor nga bregu tjetër. Ai u burgos, pasi u provua që mori para për atë sajesë.

Tani është e kundërta. E majta italiane do të përdori prapë Berishën, por tani për të rrëzuar Melonin, të vetmen që ja ka pas përshëndetur Kuvendin kundër Bashës, që bëri dy vjet më parë. Dhe kjo e shpjegon dhe më shumë arsyen përse Rama ka kaq zell ta mbajë ndezur këtë debat.

Të ngjashme