OpEd
Kosova dhe Serbia të zbatojnë marrëveshjet
Demokracia
09:04 | 24 Prill 2024

Share:

Nga: QEMAL LAMAJ

Kosova dhe Serbia kërkohet të normalizojnë marrëdhëniet, të garantojnë paqen e sigurinë midis të dyja vendeve dhe rajonit në tërësi, si dhe të përkushtohen në integrimin evropian. Për të arritur këtë qëllim, veprojnë aktivisht Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por vështirësitë janë të shumta dhe shpesh krijohen tensionime artificiale të situatës politike për probleme të ndryshme, për shkak të qëndrimeve të njëanshme dhe mosarritjes së mirëkuptimit midis Prishtinës dhe Beogradit. E vërteta e kësaj gjendjeje të tensionuar qëndron në presionin që bëjnë ultranacionalistët serbë në pushtet që duan të ruajnë politikën e vjetër shoviniste ndaj Kosovës e shqiptarëve në tërësi.

BE DHE SHBA KËRKOJNË ZBATIMIN E MARRËVESHJEVE

Në tetor të vitit të kaluar, udhëheqësit evropianë i kërkuan Beogradit të përmbushë të gjitha marrëveshjet që çojnë në njohjen “de facto” të Kosovës, ndërsa Prishtinës të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Bashkimi Evropian tha të premten, më 19.04.2024, se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është urgjente, ndërsa u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në bisedimet e deritashme. Në terren udhëheqësit e të dyja palëve akuzuan njëri-tjetrin në distancë për dështim në përmbushjen e tyre.

Me këtë formulim të qëndrimit politik evropian kuptohet drejtë urgjenca për themelimin e asociacionit, duke u garantuar me përgjegjësinë për zbatimin njëkohësisht të marrëveshjeve ndërshtetërore që janë miratuar në Bruksel. Është e domosdoshme të vlerësohet se kjo urgjencë imponon njëkohësisht dhe në radhë të parë detyrimin që të zbatohen marrëveshjet e arritura që mundësojnë efektivisht reagimin e drejtë dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore.

Asociacioni ka në idejimin dhe arritjen e marrëveshjes ndërshtetërore interesa të rëndësishme kombëtare, që mbështeten e ndikohen nga gjeopolitika euroatlantike për afrimin e Serbisë dhe plotësimin e kërkesave të Beogradit. Me interesim e drejtpërdrejtë nga SHBA dhe BE, u arrit që Kosova dhe Serbia, më 19 prill të vitit 2013, të miratojnë marrëveshjen për themelimin e Asociacionit. Politikanët serbë nuk plotësuan detyrimet për të hequr mbështetjen ndaj strukturave ilegale. Megjithatë, ata thelluan kërkesat e tyre, u mbështetën nga partnerët dhe në vitin 2015 Kosova e Serbia u pajtuan për parimet e Asociacionit. Por, po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se 23 nene janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Në tetor të vitit të kaluar, diplomatët evropianë dhe amerikanë u dorëzuan palëve një projektstatut të Asociacionit. Udhëheqësit e të dyja vendeve i thanë po në parim dokumentit, por nuk po e zbatojnë praktikisht. Themelimi i tij është pjesë e marrëveshjes së arritur mes tyre më 27 shkurt të vitit të kaluar në Bruksel dhe më 18 mars në Ohër.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se çështja e Asociacionit është një prej çështjeve thelbësore dhe urgjente dhe dështimi për ta zbatuar atë “nënkupton pasoja për Kosovën”.

Ai tha po ashtu se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian janë dokumente të vlefshme dhe të detyrueshme për të dyja palët. “Nëse palët nuk i përmbushin detyrimet e tyre, atëherë do të ketë pasoja serioze. E të vetmit që do t’i ndiejnë këto pasoja, do të jenë njerëzit, të cilët ata pretendojnë se po i mbrojnë. Të vetmit pra, që do të paguajnë çmimin për mos zbatimin e detyrimeve, do të jenë qytetarët në Kosovë dhe në Serbi”, – tha ai.

Theksojmë se dhe në këtë qëndrim të fundit kushtëzohet themelimi i Asociacionit me zbatimin e të gjitha marrëveshjeve.

SERBIA AKUZON PADREJTËSISHT

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, i quajti të premten “gënjeshtarë” Prishtinën dhe Bashkimin Evropian për mosthemelimin e Asociacionit, duke kujtuar se marrëveshja është nënshkruar 11 vjet më parë. “Njëmbëdhjetë vjet terror dhe gënjeshtra të udhëheqjes së Prishtinës dhe Bashkimit Evropian së bashku”, – tha ai.

Aleksandër Vuçiç akuzon, në vend që të reflektojë për përgjegjësitë e Serbisë. Gënjeshtarë janë në të vërtetë Vuçiç dhe gjithë politikanët e grupimet politike serbe që propagandojnë këtë ide për të bërë presion ndaj Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

. Me mbështetjen e dukshme dhe plotësimin e kërkesave nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë bërë lëshime të rëndësishme në favor të Serbisë dhe në dëm të sovranitetit të Kosovës. Këto janë të dokumentuara në marrëveshjet e arritura dhe realitetin e përparësive që i është dhënë Serbisë në krahasim me Kosovën. U viktimizua edhe ish-kryeministri dhe ish-presidenti Hashim Thaçi, që ka miratuar marrëveshjet. Ai bashkë me drejtuesit e UÇK akuzohen padrejtësisht për krime lufte dhe vazhdon gjykimi në Gjykatën e Hagës. Padrejtësisht është kërkuar përgjegjësi dhe është ndëshkuar me sanksione Qeveria e Kosovës edhe kur Qeveria e Serbisë ka vepruar në kundërshtim me marrëveshjet dhe ka ndërmarrë veprime të dënueshme duke provokuar dhe krijuar incidente kufitare, demonstrim të forcës ushtarake, dërgimin e grupeve të armatosura për të destabilizuar situatën në Veriun e Kosovës.

ASOCIACIONI SERB ËSHTË PËRPJEKJE PËR TË IMPONUAR POLITIKËN SERBE

Asociacioni është kërkesë që nuk mund të shmanget nga zbatimi në tërësi i marrëveshjeve të arritura. Megjithëse ato janë miratuar, praktikisht nuk gjejnë zbatim konkretisht, pasi politikanët serbë ngrenë vazhdimisht pretendime duke ju shmangur detyrimeve.

Kosova argumenton qëndrimin e drejtë për asociacionin. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkroi ndërkaq se, marrëveshja e vitit të kaluar “në njërën anë sjell njohjen reciproke de facto dhe normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e në anën tjetër, përmes nenit 7, adreson gjetjet e Gjykatës Kushtetuese ndaj ‘Asociacionit’”

“Nuk mund të flasim e diskutojmë vetëm për ‘Asociacionin’, pa e pranuar dhe respektuar Marrëveshja Bazike me Aneksin e Zbatimit, pa përfshirë të gjitha 39 marrëveshjet e dakordimet në Bruksel dhe pa konstatuar që marrëveshja e vitit 2013 është shkelur dhe vijon të shkelet nga Serbia, kurse vazhdimi i saj i vitit 2015 është rrëzuar në Gjykatë Kushtetuese”.

ANËTARËSIMI NË KËSHILLIN E EVROPËS DO TË DËSHMOJË POLITIKËN E DREJTË EUROATLANTIKE

Autoritetet në Serbi që janë vënë në një fushatë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, pretendojnë se argumenti kryesor është “mosthemelimi i Asociacionit”, por nuk përmendin kundërshtimin për zbatimin e marrëveshjeve, që nënkuptojnë njohjen faktike të Kosovës.

Më 16.04.2024, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi raportin për anëtarësim të Kosovës në këtë këshill, duke i hapur rrugën vendimit që duhet të merret në muajin maj në Këshillin e Ministrave të 46 vendeve anëtare të organizatës. Ndonëse në raport nënvizohet se themelimi i Asociacionit duhet të jetë një “angazhim pas anëtarësimit” për Kosovën, vendet e “Quint-it”, siç njihet pesëshja kryesore perëndimore e përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar e shohin çështjen e këtij anëtarësimi si një mundësi për të ushtruar trysni mbi qeverinë e kryeministrit Albin Kurti rreth kësaj çështjeje.

Kosova akuzon me të drejtë Serbinë për shkelje të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, duke kundërshtuar anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare, me gjithë zotimin se nuk do ta bëjë këtë.

SERBIA KËRCËNON USHTARAKISHT

Politika shoviniste serbe është faktori kryesor i përpjekjeve destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Forcat e Armatosura të Serbisë kryen një stërvitjet vjetore në një poligon ushtarak në rajonin e Novi Pazarit, 30 kilometra larg kufirit të Kosovës dhe vetëm 3 kilometra larg kufirit me Malin e Zi.

Forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë thanë se komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutas, ndoqi nga afër stërvitjet në Serbi, për të cilat Serbia e kishte njoftuar misionin e tij. Me këtë rast është e nevojshme të kuptohet se ftesa dhe ndjekja e stërvitjeve janë korrekte, por nuk mënjanojnë qëllimin e vërtetë të këtyre veprimeve, që dëshmojnë forcën ushtarake dhe armatimeve moderne për të cilat është investuar këto 10 vjetët e fundit nga Serbia për dominim dhe kërcënuar direkt Kosovën, paqen e sigurinë në rajon e më gjerë.

SERBIA ËSHTË E DOMOSDOSHME TË QARTËSOJË POZICIONIMIN NGA PERËNDIMI APO NGA LINDJA

Politikanët në Beograd luajnë teatrin me dy skena: nga Brukseli dhe nga Moska. Ndonëse e ka shpallur anëtarësimin në Bashkimin Evropian si aspiratë të saj, Serbia ruan lidhje të ngushta me Moskën dhe nuk u është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër saj për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, në radhë të parë për shkak të mbështetjes së Kremlinit ndaj pretendimeve të Beogradit mbi Kosovën.

ZBATIMI I TË GJITHA MARRËVESHJEVE ËSHTË DETYRIM I PËRBASHKËT PËR KOSOVËN DHE SERBINË

Serbia kërkon me forcë vetëm krijimin e ‘Asociacionit’ pa pranuar dhe respektuar Marrëveshjen e Brukselit me atë të Ohrit, pa përfshirë të gjitha 39 marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel dhe pa konstatuar që marrëveshja e vitit 2013 është shkelur dhe vijon të shkelet nga Serbia, kurse vazhdimi i saj i vitit 2015 është rrëzuar në Gjykatë Kushtetuese.

Me këtë strategji, politika shoviniste serbe ka për qëllim të ligjërojë strukturat ilegale dhe të imponojë krijimin e Republikës Srpska, njëlloj si ajo në Bosnje e Hercegovinë që i kundërvihet pushtetit qendror dhe vepron me çdo mjet për të krijuar kushtet për t’u shkëputur dhe bashkuar me Serbinë.

Qeveria e Kosovës premton dhe besohet se do ta krijojë asociacionin në bazë të parimeve të Kushtetutës dhe ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të saj. Është jetike për interesat kombëtare që themelimi i asociacionit të kushtëzohet dhe realizohet praktikisht nëse Serbia zbaton të gjitha marrëveshjet e arritura. Kështu do të arrihet njohja de fakto e Kosovës nga Serbia, garantohet sovraniteti dhe integriteti territorial dhe arrihet normalizimi afatgjatë i marrëdhënieve midis dy vendeve.

Të ngjashme