Lajme
“Qeveria” nën hetime| Ministrat e Kurtit deklaruan rrejshëm pasurinë e tyre
Demokracia
13:33 | 25 Mars 2022

Share:

Agjencia Kundër Korrupsionit është institucion që kontrollon pasurinë e zyrtarëve të lartë publikë, që obligohen një herë në vit ta deklarojnë pasurinë e tyre.

Janë së paku tri figura kryesore në Qeverinë Kurti, që po hetohen për fshehje të pasurisë së tyre.

Agjencia Kundër Korrupsionit kanë konfirmuar për Demokracia.com se gjatë një viti i kanë bërë 60 kallëzime penale, 11 informata i kanë dërguar në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe tri informata në Policinë e Kosovës për mosdeklarim të pasurisë nga zyrtarët publikë.

Lidhur me mosdeklarimin e pasurisë, Agjencia Kundër Korrupsionit kishte përcjell kallëzim penal kundër Blerim Isufaj, më datë 15.02.2022 në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit për veprën penale raportim i rremë i pasurisë.

Vlen të theksohet se Këshilli Prokurorial i Kosovës, më 15 shkurt 2022, ka miratuar listën e kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, ku është edhe Blerim Isufaj, aktualisht Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale dhe ish-kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Ndërsa, AKK më 14 mars të këtij viti kishte dorëzuar kallëzim penal në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit edhe kundër Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdarit, për deklarim të rrejshëm ose mosdeklarim të pasurisë.

Në formularin e pasurisë, Hajdari ka deklaruar se posedon një banesë në vlerë prej 50 mijë eurove, që nuk e ka në emër të vetin, por është pronë e përbashkët familjare. Gjithashtu, Hajdari kishte deklaruar një veturë në vlerë prej 3 mijë eurove të tipit Ford dhe 900 euro para të gatshme në bankë.

Demokracia.com kishte gjetur se Hajdari nuk e ka deklaruar në formularin e pasurisë edhe biznesin në emrin të saj.

“N.SH R&V Consulting”, është biznesi që Hajdari nuk e ka deklaruar fare në formularin e AKK-së.

Këtë biznes, Hajdari e ka regjistruar në vitin 2008 shumë kohë para se të bëhej ministre dhe në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) ende figuron si biznes aktiv.

Ndërkaq, drejtori i Agjencisë kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj, kishte deklaruar se rasti i ministres Hajdari ndërlidhet me vitin 2020, me mosdeklarim të pasurisë në kohën kur e ka marrë detyrën si ministre.

“Ky rasti i ministres Hajdari ndërlidhet me vitin 2020, me mosdeklarim të pasurisë në kohën kur e ka marrë detyrën si ministre. Do të thotë është një rast i vjetër, por që për shkak të dështimit të dërgimit të formularit me kohë, ashtu siç e parasheh ligji, Agjencia e ka dërguar rastin e saj në prokurori”, kishte deklaruar ai, përcjell Demokracia.com.

Javë më parë, AKK-ja kishte filluar hetimet edhe ndaj një ministre të Kurtit.

Kësaj here ndaj Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz.

Ministrja e Jashtme dhe Diasporës nuk ka deklaruar dy pozita, një në biznesin e saj në Gjermani dhe tjetrin në një OJQ në Kosovë dhe as nuk ka treguar për pasurinë e burrit dhe fëmijëve të saj në deklarimin që ka bërë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).

Ndërsa, gjatë ditës së djeshme, Agjencia Kundër Korrupsionit ka nisur hetimet edhe për Luan Dalipin, shefin e stafit të kryeministrit Albin Kurti, për të cilin u raportua se në deklarimin e pasurisë nuk i ka paraqitur tri biznese.

Në formularin që Dalipi e ka dërguar në Agjencinë Kundër Korrupsionit për vitin 2021, rubrikën për posedim të aksioneve në shoqëritë tregtare e ka lënë të zbrazët, shkruan Demokracia.com.

Agjencia Kundër Korrupsionit në Kosovë ka nisur procedurat hetimore edhe kundër zyrtarëve të Listës Serbe, parti udhëheqëse e serbëve të Kosovës, e cila e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Arsyeja e fillimit të procedurës është se zyrtarët e Listës Serbe, të cilët mbajnë pozita të ndryshme në nivel qendror dhe lokal në institucionet e Kosovës, nuk i kanë raportuar rregullisht pasuritë apo të ardhurat e tyre.

Procedura është iniciuar kundër kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, Sllavko Simiq, shefit të Grupit Parlamentar të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Igor Simiq, deputetëve Zoran Mojsilloviq dhe Verica Ceraniq, ish-deputetit Ivan Todosijeviq, kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq dhe këshilltarit në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, Aleksandar Spiriq.

Po ashtu, Agjencia Kundër Korrupsion ka iniciuar hetim edhe kundër Zlatko Miniqit, Miodrag Raliqit, Verolub Stankoviqit, Millorad Jovanoviqit, Millan Ivanoviqit dhe Sërgjan Nikoliqit.

Gjatë muajit janar të këtij viti, pasi kishte përfunduar hetimet në aspektin administrativ, AKK ka trajtuar 298 raste të lidhura me parandalimin dhe luftimin e korrupsionit për procesin e deklarimit të pasurisë, parandalimin e konfliktit të interesit, parandalimin e korrupsionit në prokurimin publik dhe raste te tjera të trajtuara sipas detyrës zyrtare./Demokracia.com/

 

Të ngjashme