Lajme
Agjencia Kundër Korrupsion nis hetimet për shefin e stafit të Kurtit, dyshohet se fshehu bizneset
Demokracia
09:28 | 24 Mars 2022

Share:

Agjencia Kundër Korrupsion ka nisur hetimet për Luan Dalipin, shefin e stafit të kryeministrit Albin Kurti, për të cilin u raportua se në deklarimin e pasurisë nuk i ka paraqitur tri biznese.

Në formularin që ai e ka dërguar në Agjencinë Kundër Korrupsionit për vitin 2021, rubrikën për posedim të aksioneve në shoqëritë tregtare e ka lënë të zbrazët, raporton Demokracia.com.

Në media është raportuar se ai është bashkëpronarë në tri biznese, të cilat në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve e kanë statusin e bizneseve aktive.

Agjencia Kundër Korrupsion në një përgjigje për Demokracia.com ka thënë se nga monitorimi i rregullt i mediave që bënë kjo agjenci ka identifikuar informatat lidhur me biznesin e Luan Dalipit dhe  është duke u verifikuar rasti nga departamentet përgjegjëse.

“Agjencia në asnjë rast nuk paragjykon rezultatin e hetimeve para se të kryhen të gjitha hetimet sipas legjislacionit në fuqi. Zhvillimi i hetimeve dhe kontrollit të pasurisë realizohet pa paragjykime etnike, gjinore, gjuhësore, fetare dhe të tjera të subjekteve deklaruese”, kanë thënë nga Agjencia Kundër Korrupsion për Demokracia.com.

Ditë më parë, Dalipi në një postim me gjuhë të rëndë ishte shumë i ashpër edhe kundër mediave.

“Qeveria do të udhëhiqet nga principi i transparencës absolute dhe jemi për bashkëpunim etik dhe sipas ligjit me mediat që nuk e shkelin ligjin …”. Kjo ishte fjalia më e butë që përdori shefit i stafit të kryeministrit nëpërmjet një shkrimi në Facebook, duke sulmuar në mënyrë të paprecedent mediat në Kosovë. Por, jo transparent me publikun dhe me vetë ligjin është treguar vetë Luan Dalipi, që është shef i stafit të kryeministrit Albin Kurti./Demokracia.com/

 

“AD BOX SH.P.K” është një biznes i llojit ‘Shoqëri me përgjegjësi të kufizuara’ dhe ishte hapur më 27.06.2013. Latifi është bashkëpronarë në këtë biznes.

“INTERTEL Kosovo L.L.C” është Shoqëri me përgjegjësi të kufizuara, i cili është regjistruar më 05. 03. 2010. Aktivitet primar e ka ‘Aktivitetet e telekomunikimit kabllor’. Edhe këtu Luan Dalipi është bashkëpronar.

“N.P. EDA CONSULTING GROUP”, që është i llojit biznesit “Ortakëri e përgjithshme”, aktivitet primar ka këshillimin për biznes dhe këshillat e tjera për manaxhim. Datë e regjistrimit të biznesit figuron 12.11.2002. Sipas të dhënave të ARBK-së, Dalipi është vetë i katërti ortak.

Zyrtari i kryeministrisë ka dhënë shpjegimin e tij se pse nuk i ka deklaruar këto biznese në deklarimin e pasurisë. Por, ka pranuar që aty është pronar.

“Asnjë nga këto bizneset nuk janë aktive qe shume vite. Gjithashtu, ne ATK listohen si biznese jo aktive”, tha Dalipi për Periskopin.

Derisa, bizneset figurojnë aktive në ARBK, Periskopi ka gjetur se të paktën dy nga to në ATK figurojnë si jo aktive, siç ka thënë shefi i stafit të kryeministrit.

Kur konsiderohet një biznes joaktiv?

Sipas Ligjit për Administratën Tatimore, tatimpaguesi (biznesi) ka të drejtë të pushojë veprimtarinë vetëm pasi të kenë paguar të gjitha detyrimet tatimore dhe pasi të kenë paraqitur bilancin e mbylljes, dorëzimin e deklaratave tatimore, në afatet përkatëse, duke deklaruar qarkullimin zero.

Para se të riaktivizohet biznesi, tatimpaguesi duhet të njoftojë ATK-në dhe operatorin përkatës dhe pastaj të vazhdojë procedurat normale të raportimit përmes Pajisjes Elektronike Fiskale.

Derisa Kundër korrupsioni nuk ka dhënë përgjigje zyrtare, jo zyrtarisht nga ky institucion kanë thënë se Zyrtari i lartë publik duhet të deklarojë gjithçka që është publike në ATK, në të kundërtën duhet t’i fshijë nga regjistri, pra të bëjë shuarjen e plotë të biznesit.

Dalipi ka deklaruar se është konsulent në kompaninë “Management Development Associates”. Po ashtu, referuar formularit të pasurisë ,ka shkruar se në këtë kompani ka qenë aksionar deri në vitin 2017 dhe se një pjesë të pasurisë e ka nga të ardhurat e këtij biznesi.

“Pasuria ime bazohet në të ardhurat nga 1. të hyrat vjetore dhe dividentat (pjesa më substanciale) e kompanisë Management Development Associates (MDA), 2. të ardhurat e bashkëshortes si dhe 3. nga përkrahja financiare nga prindërit, me të cilët nuk bashkëjetoj. Unë jam bashkë-themelues i MDA-së (2004) dhe kam qenë aksionar në këtë firmë deri në 2017. MDA punëson rreth 30 profesionistë dhe ka pasë qarkullim mesatar vjetor 1-2 mil euro (2008-2019). Apartmani më është dhuruar nga prindërit. Ndërsa kapitalin e konsiderueshëm financiar për blerjen e shtëpisë me 10 ari tokë si dhe veturën time dhe të bashkëshortes i kemi siguruar nga dividentat e mia si ish-aksionar në MDA, nga të ardhurat e mie dhe të bashkëshortes (rrogat), kreditë personale, si dhe ndihmës financiare nga prindërit”, ka shkruar në fund të formularit Dalipi.

Referuar të dhënave të ARBK-së, Dalipi nuk figuron bashkëpronar të ky biznes, sikurse në tre tjerët të cilët nuk i ka përmend fare nëse ka përfituar pasuri edhe nga ta. / Demokracia.com/

Të ngjashme