Lajme
Ali Ahmeti theu rekordin personal | “Fronti Europian” i BDI-së shkroi historinë, u bë fuqia e dytë politike në Kuvendin e Maqedonisë (Rezultatet 2014, 2016, 2020 dhe 2024)
Demokracia
12:56 | 09 Maj 2024

Share:

Betejën e zgjedhjeve presidenciale të 24 prillit dhe atyre parlamentare të 8 majit, ish-drejtuesi i UÇK-së, Ali Ahmeti, e ka kaluar me qetësi të admirueshme.

Vetëm një herë e ka ngritur zërin në fushatën zgjedhore disajavore në Maqedoninë e Veriut, pas toneve nacionaliste të kreut të VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickoski, kundër shqiptarë, posaçërisht kundër partisë së Ahmetit.

Më 20 prill 2024, Mickoski u bënte thirrje maqedonasve për “pajtimin dhe bashkimin kombëtar maqedonas”, duke u premtuar atyre se “do t’ua kthejë shtetin” dhe aluduar kështu se gjoja partia më e madhe shqiptare në Maqedoni të Veriut, BDI-ja, e ka marrë atë, shkruan Demokracia.com.

Vetëm një ditë më pas, më 21 prill 2024, Ahmeti lëshoi deklaratën e fuqishme nga një tubim me mbështetësit e tij. “Hristjan, populli im thotë gur mbi gur bëhet kalaja, fjalë pas fjale nis belaja. Mos nis bela, mati fjalët. Je i ri, akoma të qet buza tamël”.

“Hristjan Mickoski është rritur me gurabi. Hristjan Mickoski është rritur me keksa. Unë, Hristjan, jam rritur në kullë prej guri që tre herë është djegur prej pushtuesve”, tha Ahmeti, ku më pas kishin filluar brohoritjet “UÇK, UÇK”, të cilat i vazhdoi edhe vetë kreu i BDI-së.

Sipas rezultateve të 8 majit, Ahmeti ka thyer rekordin e tij personal, pasi “Fronti” i tij ka arritur që të bëhet fuqia e dytë politike në Kuvendin e Maqedonisë.

Demokracia.com sjellë rezultatet e dekadës së fundit të zgjedhjeve për Kuvendin e Maqedonisë, të mbajtura në vitin 2014, 2016, 2020 dhe 2024.

2014 – BDI, FORCA E TRETË POLITIKE MË 19 DEPUTETË

Në zgjedhjet e mbajtura në vitin 2014 për Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, partia e Ali Ahmetit, BDI, kishte arriur rezultat të lartë, duke siguruar 19 mandate dhe duke u renditur si partia e tretë në këtë shtet.

VMRO-DPMNE kishte fituar 61 deputetë, kurse LSDM 34.


2016 – BDI, ME 10 DEPUTETË, FORCA MË E MADHE POLITIKE SHQIPTARE

Në zgjedhjet e mbajtura në vitin 2016 për Kuvendin e Maqedonisë, partia e Ahmetit ka arritur të sigurojë 10 mandate në Kuvendin e ri të Maqedonisë së Veriut, ku 100 u fituan nga partitë maqedonase, LSDM (49), VMRO-DPMNE (51).

Në këto zgjedhje, edhe partitë e tjera shqiptare kishin arritur të fitojnë 10 mandate. PDSH e Menduh Thaçit me 2 deputetë, Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës me 3 deputetë dhe Lëvizja Besa e Bilall Kasamit me 5 deputetë.

Edhe në zgjedhjet që u mbajtën vetëm 2 vite më vonë, sërish BDI e Ali Ahmetit arriti rezultat të lartë.

Plot 15 mandate kishte arritur t’i fitonte BDI në kampin shqiptar, ndonëse partitë e tjera shqiptare ishin organizuar nën koalicionin “Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa”, të cilat kishin arritur të fitonin 12 mandate.

Dy partitë maqedonase ishin ndarë pothuajse me rezultat të barabartë të përfaqësimit në Kuvend. LSDM kishte dalë e para me 46 deputetë, dy më shumë se VMRO-DPMNE me 44.

 

2024 – AHMETI THEU REKORDIN PERSONAL, “FRONTI” I TIJ BËHET FUQIA E DYTË NË KUVENDIN E MAQEDONISË

Për dallim nga të gjitha rezultatet e proceseve të kaluara zgjedhore, në Zgjedhjet e 8 majit për Kuvendin e Maqedonisë, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ka arritur të thyejë rekordet personale si drejtues i forcës politike më të madhe të shqiptarëve në këtë shtet.

Në zgjedhjet e 8 majit, koalicioni i Ahmetit “Fronti Europian” ka arritur të dalë si forca e dytë politike në Kuvendin e Maqedonisë, madje edhe para LSDM-së maqedonase.

Sipas rezultateve, “Fronti Europian” i BDI-së së Ali Ahmetit ka siguruar 19 mandate në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, duke lënë pas LSDM-në me 18 deputetë.

Në këtë Kuvend, VMRO-DPMNE do të ketë shumicën e ulëseve, gjithsej 58 mandate. Ndërkaq, opozita shqiptare që garoi nën koalicionin “VLEN” ka arritur të sigurojë 13 mandate. /Demokracia.com/

 

Lexo më shumë:

Ali Ahmeti i pamposhtur | Mesazhi që Albin Kurti mori nga shqiptarët e Maqedonisë

 

Të ngjashme