Lajme
Zyrtare: Agjencia Kundër Korrupsion s’ka bërë asnjë kallëzim penal kundër zyrtarëve të Listës Serbe
Demokracia
09:10 | 25 Shkurt 2022

Share:

Agjencia Kundër Korrupsionit në Kosovë, në janar të këtij viti nisi procedurat hetimore kundër zyrtarëve të Listës Serbe, e cila koordinohet ngushtë për gjithçka me Beogradin zyrtar.

Arsyeja e fillimit të këtyre procedurave ishte se zyrtarët e Listës Serbe, që mbajnë pozita të ndryshme në nivel qendror dhe lokal në institucionet e Kosovës, nuk e kishin raportuar rregullisht pasurinë apo të ardhurat e tyre, raporton Demokracia.com.

Procedura ishte iniciuar kundër kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Sllavko Simiq, shefit të Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Igor Simiq, deputetëve Zoran Mojsilloviq dhe Verica Ceraniq, ish-deputetit Ivan Todosijeviq, kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq dhe këshilltarit në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, Aleksandar Spiriq.

Demokracia.com e ka pyetur Agjencinë Kundër Korrupsionit se deri ku kanë shkuar hetimet në lidhje me këtë rast, të cilët kanë thënë se nuk iniciojnë verifikime e as hetime në bazë të përkatësive të ndryshme.

Agjencia Kundër Korrupsionit nuk inicion verifikime e as hetim në bazë të përkatësisë politike, etnike, fetare, gjinore dhe të ngjashme, rrjedhimisht as kundër zyrtarëve të Listës Serbe. Subjekt potencial të verifikimeve dhe hetimeve të Agjencisë Kundër Korrupsionit janë të gjithë zyrtarët publikë të kualifikuar sipas ligjit, pa diskriminim të prapavijës së tyre politike, etnike, profesionale, fetare, gjinore dhe të ngjashme”, thuhet në përgjigjen e AKK-së për Demokracia.com.

Sipas Ligjit nr.03/L-159 për Agjencinë Kundër Korrupsionit, për çdo dyshim të korrupsionit të raportuar, kjo agjenci fillimisht e vlerëson inicimin e procedurës së hetimeve paraprake, ku në rast të inicimit të kësaj procedure, ndërmerr masat e caktuara për kërkimin, mbledhjen, hulumtimin dhe analizon dokumentacionin dhe informacionin relevant, si dhe ekzaminon rrethanat që kanë lidhje me rastin.

Kjo agjenci thotë se zhvillimi i hetimeve, kontrollit të pasurisë dhe vlerësimit për konflikt të mundshëm të interesit mund të iniciohet edhe nga shorti për kontrollin e plotë të pasurisë.

Zhvillimi i hetimeve, kontrollit të pasurisë dhe vlerësimit për konflikt të mundshëm të interesit mund të iniciohet nga shorti për kontrollin e plotë të pasurisë, 20% i të gjithë zyrtarëve që kanë bërë deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë, sipas detyrës zyrtare, kërkesave dhe denoncimeve nga palët me interes”, thuhet në përgjigjen e AKK-së për Demokracia.com.

Në fund, Agjencia Kundër Korrupsionit ka shtuar se të gjitha veprimet ndërmerren pas ekzaminimit të rastit dhe verifikimit të shkeljeve të pretenduara.

Të gjitha veprimet e AKK-së ndërmerren pas ekzaminimit të rastit dhe verifikimit të shkeljeve të pretenduara. Agjencia në asnjë rast nuk paragjykon rezultatin e hetimeve para se të kryhen të gjitha hetimet sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në përgjigjen e AKK-së.

Demokracia.com ka pyetur edhe Prokurorinë e Shtetit lidhur me procedurat hetimore kundër zyrtarëve të Listës Serbe.

Nga Prokuroria e Shtetit kanë thënë se AKK nuk ka përcjellë deri më tani asnjë kallëzim penal kundër tyre.

Pas verifikimit nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Agjencia Kundër Korrupsionit nuk ka përcjellë asnjë kallëzim penal kundër zyrtarëve të Listës Serbe”, thuhet në përgjigjen e tyre./Demokracia.com/

Të ngjashme