OpEd
Pse shtetet po shtyhen në tërheqjen e punëtorëve migrantë?
Demokracia
08:09 | 21 Prill 2023

Share:

Nga: Sarah O’Connor / The Financial Times

Kur fjala “migrant” del në kryetitujt e lajmeve, shpeshherë shoqërohet me fjalën “krizë”. Por, gjithashtu po zhvillohet një narracion tjetër rreth migrimit – një histori në të cilën vendet gjithnjë e më shumë po konkurrojnë me njëri-tjetrin për t’i tërhequr në brigjet e veta punëtorët e kualifikuar.

Gjithmonë kishte konkurrencë globale për t’i joshur shkencëtarët, inxhinierët kompjuterikë dhe sipërmarrësit më të mirë, por shtetet tani po përpiqen të tërheqin një gamë shumë më të gjerë të migrantëve që kanë aftësi të ndryshme – që nga prodhimi e deri tek infermieria dhe ndërtimi.

Jean-Christophe Dumont, kreu i migracionit ndërkombëtar në OECD [Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik], thotë se mungesat akute të fuqisë punëtore – pas pandemisë – kanë qenë faktor nxitës tok me përkeqësimin e trysnive demografike në një pjesë të shteteve që po plaken. Pothuajse gjysma e popullsisë globale tashmë jeton në një shtet ose në një zonë ku gjatë gjithë jetës shkalla e fertilitetit (numri mesatar i foshnjave për grua) është nën “normën e zëvendësimit” prej 2.1 – shifër kjo që do ta mbante të qëndrueshme një popullsi.

Në Kanada, qeveria synon një zgjerim të madh të migracionit, duke vënë në dukje se raporti punonjës-pensionist pritet të zhvendoset nga shtatë me një siç ishte 50 vjet më parë, në dy me një deri në vitin 2035. Ajo [Kanada] këtë vit kërkon 465 mijë banorë të rinj të përhershëm (më shumë se rekordi prej 405 mijë vetave vitin e kaluar), 485 mijë më 2024 dhe 500 mijë më 2025.

Gjermania, në ndërkohë, po përpiqet të tërheq më shumë njerëz jashtë BE-së. Ajo [Gjermania] nuk mund të mbështetet më vetëm te punëtorët brenda bllokut, duke pasur parasysh se edhe vendet si Polonia po plaken me shpejtësi. Sipas reformave të planifikuara, “karta e mundësisë” do të përdor një sistem pikësh për t’i lejuar njerëzit e aftë që të lëvizin më lehtë drejt Gjermanisë. Ajo gjithashtu dëshiron të shkurtojë kohëzgjatjen gjatë së cilës njerëzit duhet të jetojnë në vend përpara se ta marrin nënshtetësinë, si dhe të heq ndalimin e shtetësisë së dyfishtë për njerëzit jashtë BE-së.

Australia gjithashtu ka premtuar reforma për ta bërë sistemin e saj të migracionit më pak kompleks dhe më tërheqës për migrantët e përhershëm të kualifikuar. “Ne të gjithë duam t’i shtyjmë para revolucionet tona të gjelbra, revolucionet tona digjitale dhe po konkurrojmë me Gjermaninë dhe ShBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanadanë”, ka thënë Andrew Rose nga Misioni i Përhershëm Australian në OKB, në Konferencën e vitit të kaluar të Migracionit në Vjenë.

Dumont thotë se vendet “po e kuptojnë gjithnjë e më shumë këtë … nuk mjafton t’i lejosh njerëzit që të vijnë. Duhet t’jua ofroni atyre një pako tërheqëse”. Shumë faktorë kanë rëndësi: a mund ta sjellin me vete familjen? A mund të punojë bashkëshorti/a? A mund të kalojnë në leje afatgjatë? A do të ndihen të padëshiruar?

Nëse është garë, Mbretëria e Bashkuar është një prej përfituesve të papritura deri tash. Shumë britanikë që votuan kundër Brexit-in – përfshirë mua – menduan se jashtë BE-së vendi do të bëhet më i izoluar. Por, migrimi neto arriti në një rekord prej rreth gjysmë milion njerëzve gjatë vitit të kaluar. Mbretëria e Bashkuar u rendit në 10 vendet e para të renditjes së OECD-së për vendet që janë më tërheqëse për punëtorët me aftësi të larta. Më e habitshme, publiku duket se ndihet mirë me këtë. Në vitin 2022 – për herë të parë në historinë e sondazheve – më shumë njerëz favorizuan ruajtjen apo edhe rritjen e niveleve të migrimit sesa që kanë favorizuan shkurtimet e tij.

Një pyetje e madhe është nëse qeveritë do të jenë në gjendje ta ruajnë miratimin publik për të sjellë më shumë punëtorë migrantë (edhe pse njerëzit shprehin pakënaqësi për migrimin e parregullt). Rob Ford, profesor i Politikës në Universitetin e Mançesterit, është optimist i matur – të paktën për Mbretërinë e Bashkuar,. Së pari, ka ndryshime strukturore në punë: njerëzit që kanë qenë në universitet janë më të hapur ndaj migrimit dhe popullsia po bëhet vazhdimisht më e arsimuar.

Plus, sistemi i vizave – pas Brexit-it – ua jep njerëzve një ndjenjë kontrolli: “Nëse do të më pyesnit në pranverën e vitit 2016 se cili kuadër i politikës së migracionit do të ishte më shumë në përputhje me preferencat e publikut, do të kisha thënë diçka si ajo që kemi sot”, më thotë Ford. “Janë shumë liberalë për migracionin e studentëve, për të cilën gjë votuesit fare nuk interesohen, dhe pastaj është liberalizmi i bazuar në rregullat e tregut të punës”.

Nga ana tjetër, disponimi mund të ndryshojë nëse cikli ekonomik ndjeshëm ndryshon. Politikëbërësit që duan ta ruajnë pëlqimin publik, duhet të sigurohen që të zbatojnë normat për kushtet e pagave dhe të punës, në mënyrë që migrantët të mos shfrytëzohen dhe vendasit të mos ndihen të dëmtuar gjatë rënies ekonomike (diçka që Mbretëria e Bashkuar mjerisht ka dështuar ta bëjë për punëtorët e bujqësisë). Ata gjithashtu do të duhet të fokusohen në furnizimin me banesa dhe me cilësinë e shërbimeve publike.

Edhe atëherë mund të gjenden “minat e pashpërthyera tokësore” që papritmas e ndryshojnë debatin, thotë Ford. “Është gjithmonë një problem bazik përkitazi me emigracionin si çështje – sipas përkufizimit migrantët janë të huaj dhe një prej mesazheve më të fuqishme gjatë fushatave politike është kjo: ‘Fajin e kanë të huajt’”. /Telegrafi/

Të ngjashme
OpEd • 27 Prill 2024