Lajme
Partitë shqiptare në Bujanoc nënshkruajnë marrëveshje paszgjedhore për të ruajtur shumicën
Demokracia
20:27 | 27 Prill 2024

Share:

3 parti politike shqiptare në Bujanoc kanë nënshkruar të mërkurën koalicion paszgjedhor, të ndërmjetësuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH), për të ruajtur shumicën në këtë komunë – e banuar me shumicë shqiptare.

Lajmi u bë i ditur nga kreu i KKSH-së, Nevzad Lutfiu, përmes një postimi në Facebook, derisa njoftoi se kjo u bë pasi që ka ndërmjetësuar tre takime mes të akterëve politikë.

Nënshkrues të kësaj marrëveshje janë Partia Demokratike, Partia për Veprim Demokratik dhe Lëvizja për Progres Demokratik.

“Ruajtja e shumicës shqiptare në Komunën e Bujanocit ishte motivi kryesor i kësaj nisme të cilën e udhëhoqi KKSH”, ka shkruar Lutfiu.

Ai ka njoftuar se partitë politike të sipërpërmendura arrijnë këtë marrëveshje e cila ka prioritet luftën kundër diskriminimit, zhvillimin e gjithmbarshëm shoqëror, arritjen e barazisë, zhvillimin ekonomik-social, kulturor të kësaj komune.

Po ashtu, kreu i KKSH-së ka potencuar se marrëveshja mbetet e hapur edhe për listat tjera garuese që sigurojnë mandate në përbërjen e re të Kuvendit komunal.

“Shqiptar mbi këtë dhe!”, ka përfunduar Lutfiu.

Lidhur me këtë marrëveshje ka reaguar edhe kryetar i PVD-së, njëherit deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Po në Facebook, ai ka thënë se me këtë marrëveshje e kanë krijuar frontin e bashkimit të shqiptarëve në Bujanoc.

“Ky është hap i rëndësishëm drejtë një bashkëpunimi të fortë dhe të përbashkët për të siguruar një qeverisje të mirë në komunën tonë”, shkroi Kamberi.

Edhe ai ka theksuar se marrëveshja synon luftën kundër diskriminimit, zhvillimin shoqëror, barazinë dhe zhvillimin ekonomik, social e kulturor të komunës së Bujanocit.

“Do vazhdojmë të angazhohemi që të krijojmë një mjedis të hapur dhe demokratik, duke i dhënë rëndësi zgjedhjeve të lira, të drejta dhe transparente, ku çdo ide dhe opinion ka vendin e tyre”, shtoi.

Për subjektin që ai e drejton, respektimi i votuesve dhe pjesëmarrësve në zgjedhje është i pamohueshëm, transmeton albanianpost.

“Besimi në historinë tonë kombëtare, rëndësia e bashkëpunimit ndërpartiak dhe angazhimi për stabilitetin dhe zhvillimin e komunës sonë janë qëndrime që na udhëheqin në këtë rrugë drejt frontit shqiptar për Bujanocin”, potencoi.

Frontin e përbashkët për shqiptarët në komunën e Bujanocit, ai tha se “ua kemi borxh çdo qytetari tonë”.

Të ngjashme