Lajme
Përkeqësohet imazhi ndërkombëtar i Kosovës | Osmani, Kurti dhe Konjufca pranojnë se po minojnë besimin në gjyqësor, zotohen ta ndalojnë fushatën
Demokracia
08:33 | 28 Mars 2024

Share:

Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, përveç që janë zotuar besnikërisht se do ta themelojnë Zajednicën apo Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, kanë bërë edhe një zotim të pazakontë në letrën që ia kanë dërguar raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakojanis, shkruan Demokracia.com.

“… ne do të donim që ta shfrytëzojmë këtë mundësi për t’ju informuar se ne do ta respektojmë besnikërisht listën e zotimeve të treguar në Shtojcën I të letrës suaj të datës 21 mars 2024 pas bërjes së Kosovës shtet anëtar i Këshillit të Evropës. Ne ju falënderojmë për bashkëpunimin tuaj, përderisa presim që ta fuqizojmë bashkëpunimin përmes anëtarësisë së plotë në Këshillin e Evropës”, thuhet ndër tjerash në letrën e nënshkruar nga tre liderët shtetërorë.

Tre krerët e shtetit i zotohen Dora Bakojanisit: Besnikërisht do ta themelojmë Asociacionin

Një listë me kushte e zotime që institucionet e Kosovës duhet t’i plotësojë për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, ka nxjerrë në pah imazhin negativ që Republika e Kosovës ka në arenën ndërkombëtare pas Zgjedhjeve të 14 Shkurtit 2021, që sollën në pushtet treshen Osmani – Kurti – Konjufca, shkruan Demokracia.com.

Zotimi që liderët e institucioneve kryesore e kanë dhënë në letrën e tyre të datës 22 mars 2024, është i denjë për shtetet autoritare ose gjysëm-autoritare, ku nuk ekziston ndarja dhe balanca e pushteteve.

OSMANI, KURTI E KONJUFCA ZOTOHEN SE DO TË NDALOJNË MINIMIN E BESIMIT NË GJYQËSOR

“Në lidhje me funksionimin e institucioneve demokratike dhe respektimin e sundimit të ligjit: Të respektohet plotësisht pavarësia e gjyqësorit, përfshirë përmbajtjen nga kritikat e tepruara që e minojnë besimin në gjyqësor”.

Kështu thuhet në njërën nga pikat e listës së gjatë të zotimeve që liderët shtetërorë, Osmani, Kurti dhe Konjufca, janë zotuar se do ta respektojnë në letrën e tyre të 22 marsit.

Ky zotim shfaq gjendjen e rënduar të sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës, pikërisht për shkak të sulmeve nga pushteti i Osmanit, Kurtit dhe Konjufcës.

Situata shfaqet edhe më e rënduar pasi ky zotim është pjesë e listës së hartuar nga Komisioni Evropian, çka do të thotë se sulmet e pushtetit aktual mbi sistemin e drejtësisë kanë marrë përmasa sheqetësuese deri në nivele evropiane.

Që nga ardhja në pushtet e Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri Albin Kurti i ka prirë sulmeve publike dhe direkte mbi sistemin e drejtësisë, por edhe mbi emrat e përveçëm. Fatkeqësisht, këtyre sulmeve në të shumtën e rasteve i është bashkuar edhe presidentja Vjosa Osmani.

Duket ironike, por vetëm një ditë pas letrës së dërguar në adresë të Bakojanis, Kurti është shfaqur i ashpër me Gjykatën Kushtetuese, pasi në mënyrë të paprecedentë ai e ka krahasuar Kushtetuesen me një parti politike, të cilën e ka ftuar të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme.

“Nuk besoj se Gjykata Kushtetuese do të duhej të pranonte, duke pasur Komisionin Parlamentar për Legjislacion, ta trajtojë secilin ligj që e kalon mazhoranca aty e që janë thelbësore për reformat që ne i bëjmë. Sidoqoftë, ajo po i trajton. E keni pa që po merret me nivel të pagave, po merret me çmimet tavan, po merret me gjithçka. Në këtë kuptim unë e ftoj Gjykatën Kushtetuese që në zgjedhjet e ardhshme të garojnë edhe ata, le të garojnë në zgjedhje”, ka thënë Kurti.

Këtë akuzë, kryeministri Kurti e përsëriti edhe një ditë më pas, në konferencën nga ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, më 22 mars, në ditën e dërgimit të letrës për Bakojanis. /Demokracia.com/

Lexo më shumë për këtë temë:

Skandaloze | Presidentja Osmani nxiti qytetarët të mos i besojnë drejtësisë dhe të mos e denoncojnë krimin

“Kryeprokurori” | Si ia “shkruajti” Kurti vendimin presidentes Osmani gjashtë muaj më herët?

Albin Kurti i sulmon gjyqtarët dhe prokurorët, pastaj thotë se ata duhet të zhvishen nga ndikimet politike

Të ngjashme