Lajme
Blinkeni thotë se Kina po e ndihmon forcimin e kërcënimit rus ndaj Ukrainës
Demokracia
09:06 | 27 Prill 2024

Share:

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, ka paralajmëruar se Uashingtoni do të veprojë, nëse Kina nuk e ndal furnizimin e Rusisë me produkte që përdoren gjatë sulmeve të Moskës në Ukrainë.

Duke folur me televizionin BBC në Pekin, kryediplomati amerikan tha se ai ua ka bërë të qartë homologëve kinezë se ata “po e ndihmojnë forcimin e kërcënimit më të madh” ndaj sigurisë evropiane që nga Lufta e Ftohtë.

Ai nuk tregoi se çfarë masash është e përgatitur ShBA-ja që të ndërmarrë. Sidoqoftë, zyrtari i lartë i Uashingtonit e theksoi edhe përparimin e arritur në disa fusha.

Blinkeni e çmoi Pekinin për përpjekjet rreth ndërprerjes së dërgesave të drogës fentanil në ShBA. Kina mbetet burimi kryesor i kësaj substance në Shtetet e Bashkuara, për të cilën Shtëpia e Bardhë ka thënë se është duke shkaktuar krizë të shëndetit publik në mbarë vendin.

Sekretari amerikan gjithashtu theksoi se i duket që Pekini mund të luajë rol “konstruktiv” në Lindje të Mesme, duke e theksuar shfrytëzimin e “marrëdhënies [së Kinës] me Iranin për të nxitur” kundër eskalimit të mëtejmë në ballafaqimin me Izraelin.

Vizita e Blinkenit në Kinë, e dyta brenda dhjetë muajve, formon një pjesë të shtimit domethënës të dialogut dhe diplomacisë mes fuqive rivale, përderisa ato po përpiqen që t’i rikthejnë marrëdhëniet në binarë pas një periudhe me tensione të larta vitin e kaluar.

Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Pekinit janë tensionuar nga pretendimet e Kinës mbi Tajvanin dhe Detin Jugor të Kinës, si dhe ndalimit të eksportit nga ShBA-ja për prodhimet e teknologjisë së lartë. Ato u dëmtuan edhe më tej nga një përplasje për një balonë spiune në shkurtin e vitit të kaluar.

Presidenti kinez, Xi Jinping, i cili u takua me Blinkenin të premten pasdite, u pajtua se të dyja palët kishin “bërë ca përparim pozitiv” që nga takimi i tij me homologun amerikan, Joe Biden, në nëntor të vitit të kaluar.

Ai shtoi se dy shtetet duhet të jenë “partnere, jo rivale”, duke thënë se nëse ShBA-ja merr “pikëpamje positive për zhvillimin e Kinës”, marrëdhëniet “vërtet do të mund të stabilizoheshin, të bëheshin më të mira dhe të lëviznin përpara”.

Të ngjashme