OpEd
Për ta mposhtur Putininin, duhet t’i mbështesim gazetarët e guximshëm rusë që thonë të vërtetën
Demokracia
17:40 | 30 Janar 2023

Share:

Nga: Mark Rice-Oxley, The Guardian

Tanket e fushëbetejës në fakt janë vetëm gjysma e betejës. Përtej fuqisë ushtarake në terrenin e Ukrainës, është konfrontimi tjetër i rëndësishëm ku Kremlini ka epërsinë që duhet sfiduar. Lufta e informacionit.

Hapësira mediatike e Rusisë është kthyer në parodi groteske të modelit të epokës sovjetike. (Në fakt, është shumë më keq pasi, të paktën në vitet e fundit sovjetike, shumica e njerëzve dinin se po ushqehen me gënjeshtra). Televizioni dhe shtypi vendas janë krejtësisht të kapura. Miliona njerëz ushqehen me dietën e përditshme të “fashistëve” ukrainas, të pederastëve perëndimorë dhe të hakmarrjes bërthamore ndaj qytetërimit anglo-sakson.

Po ia dalin mbanë. Konsensusi i gjerë përbrenda Rusisë ende mbështet Putinin dhe fushatën e tij të mjerë në Ukrainë. Kremlini mund ta ketë bërë rrëmujë luftën në terren, por po e fiton betejën e propagandës.

Megjithatë, është një pakicë e vogël e gazetarëve të guximshëm që përpiqen ta bëjnë ndryshimin, duke publikuar lajme të pavarura dhe të besueshme për audiencën në Rusi. Nuk është punë e lehtë kjo. Ata janë të bllokuar, të ndaluar, të ngacmuar dhe të dëbuar nga Rusia. Gjykohen si agjentë të huaj “të padëshiruar”, ndërsa janë kërcënuar gazetarët, financuesit dhe lexuesit. Ata rrinë në mërgim, pa staf, pa reklamues dhe pa të ardhura. Por, jo me pak lexues.

Në Rigë, javën e kaluar i vizitova redaktorët kryesorë që janë pjesë e projektit të Fondacionit Guardian për të krahasuar të dhënat dhe për të ofruar këshillat se si financohet gazetaria e pavarur. Kryeredaktorja e Meduza-s, Galina Timchenko, tha se është si loja e maces me miun: sa herë dilte me një mënyrë të re të shpërndarjes së lajmeve në Rusi, autoritetet e mbyllnin atë. E, megjithatë, Meduza ende pretendon se gjatë vitit të kaluar në Rusi kishte rreth 2.5 milionë shfletues unikë në muaj.

Redaktorja e Holod-it, Taisia Bekbulatova, tha se mbështetja e gazetarisë së pavarur ruse është pjesë jetike e shpëtimit të Rusisë nga vetvetja.

“Qëllimi ynë është ta ruajmë gazetarinë e pavarur, për të ardhmen e Rusisë”, më tha Bekbulatova. “Pavarësisht se duhet të punojmë në mërgim, besojmë në rëndësinë e gazetarisë me cilësi të lartë dhe në mundësinë e shkatërrimit të një diktature. Duam të jemi jo vetëm një medium, por institucion i vërtetë i gazetarisë së pavarur.”

Për botën perëndimore që shqetësohet se si ta bëjë ndryshimin në luftën e Ukrainës, mbështetja e gazetarëve si këto duket si mundësi e qartë. Në të njëjtën mënyrë se si miliona lexues e kanë mbështetur gazetarinë e Guardian-it ndër vite, sepse e njohin rëndësinë e medias së pavarur për funksionimin e demokracisë, e njëjta gjë po ndodhë edhe në Rusi.

Mund t’i ndihmojmë lehtësisht mediat si Meduza dhe Holod, me një copëz të çmimit të një tanku Leopard. Duhet të shpresojmë se organizatat e pavarura ruse të lajmeve do të lulëzojnë që të mund të bindin një numër gjithnjë e më të madh të njerëzve për t’i vënë në dyshim gënjeshtrat e Kremlinit. Në këtë aspekt, Glasnost-i [politika e iniciuar në BRSS më 1985 për qeverisje më të hapur dhe shpërndarje të gjerë të informacionit] nuk ka asnjë të metë.

Të ngjashme
OpEd • 23 Prill 2024