OpEd
Kukullat e Vuçiqit, Kukullat e Albinit dhe Shqipërim Arifi
Demokracia
21:11 | 21 Prill 2024

Share:

Mero Baze

1. Kukullat e Vuçiq 

Në Veri të Kosovës, votat për referendum provuan se Aleksandër Vuçiq ka 99 përqind të votuesve. Në ndonjë qendër si në Zveçan, pranë Banjskës, ka dhe 100 për 100. Asnjë zgjedhës nuk mori pjesë aty në votim.
Zgjedhjet e njëanshme të një viti më parë nga Albin Kurti, i cili ngujoi katër kryetar komunash shqiptar në zyra, “zgjedhur” me disa dhjetëra vota, larg çdo legjitimiteti, tani janë kthyer në një problem të madh për Albin Kurtin. Nuk i zhbën dot me atë lehtësi që e bëri atë budallallëk.

Edhe pse është gati t’i tërheqë kryetarët, edhe pse është gati të zhdukë çdo gjurmë të asaj marrëzie që bëri, tani nuk e “lënë” viktimat të duket xhelat i mirë.

“Ka pagu 50 euro me hy në valle e tani duhet me të paguajë miliona të dalë prej saj”.

Natyrisht milionat i paguan Kosova. Albini është njeri me pasuri modeste, 1500 euro ka. Ka paguar veç 50 të parat, një vitë më parë. Të tjerat i paguan Kosova.

E thënë më qarë ajo që po ndodh në Veri është një hakmarrje e Aleksandër Vuçiq, ndaj përpjekjes së Albin Kurtit për të treguar muskujt në Veri të Kosovës dhe për t’i treguar atij, se aty do bëhet çfarë do Vuçiq, kur do Vuciq, dhe si do Vuçiq.

Ky natyrisht ështe një gjest hakmarrës, dhe nuk është faji i Albin Kurtit. Faji i tij është që ja dha mundësinë Vuçiq, ta tregojë këtë epërsi që e ka.

Dhe për ta çuar deri në fund betejën e tij me Kurtin, duket se Vuçiq as që ka ndërmend ta fshijë ”plagën” që Kurti u ka hapur serbëve në veri, pa e firmosur Asosacionin.

Me një fjalë ai po përdor një marrëzi të Albin Kurtit, për të gjunjëzuar Albin Kurtin.

Sot ishte seanca e radhës, që u fitua 99 me 1, natyrisht nga Vuçiqi.

2. Kukullat e Albinit 

Nën shembullin e Vuçiq dhe Albin Kurit po përpiqet të ketë kukullat e veta ngado. Në Shqipëri mendoi se e kishte lehtë por nuk ja doli. Doli afërsisht si referendumi në Veri të Kosovës.

Pas kësaj i është vërsulur Maqedonisë së Veriut. Ka hyrë mes faktorit shqiptar, duke e përçarë atë dhe duke mbështetur një kandidat që kë në perspektivë aleancën me nacionalistët e VMRO.

Sot ngaqë ishte mërzitur nga dështimi në Veri për të na treguar të gjithëve se dhe ai ka kukullat e veta i thirri në Kosovë, si “tek baba” për tu dhënë bekimin e fitores në zgjedhjet që do të mbahen së afërmi.

E sigurt është që asnjë kandidat shqiptar nuk fiton, por pa u përçarë kishin shanse të ishin në balotazh. Me bekimin e Kurtit rrezikojmë të mos kemi asnjë dhe nga ana tjetër i kemi dhënë të drejt socialdemokratëve të Maqedonisë, që kanë qenë për vite të tëra në bashkëqeverisje me shqiptarët të thonë se shqiptarët i tradhtuan dhe të bëhen në rast të ndonjë rezultati delikat në një koalicion të madh maqedonas kundër shqiptarëve. Siç e ëndërron Kurti.

3. Shqipërim Arfi si kukull e askujt 

Aleksandër Vuciq shkarkoi Shqipërim Arifin, në Preshevë, si kryetar komune se mban flamurin shqiptar në dritare. Në fakt nuk është se mban për herë të parë dhe Vuçiq tani e zbuloi. Vuçiq do tu tregojë shqiptarëve, se kryetarët e komunave shqiptare në Serbi, i heq kur të dojë, kurse kryetarët e komunave serbe, në Veri të Ksoovës i vendos kur të dojë ai dhe jo kur të dojë Kurti.

Madje për ta bërë më cinike shkarkimin e Arfit e quajti “shqiptar të Kurtit”. Shqipërim Arifi ndërkohë është një armik politik i Kurtit, dhe e ka kritikuar atë vazhdimisht për sabotim të faktorit shqiptar në Preshevë.

Duke e quajtur “shqiptar të Kurtit”, Vuçiq tregon dhe hakmarrje ndaj Kurtit për serbët, dhe tallet me Kurtin, duke i faturuar për mik, një armik, të cilin Kurit nuk guxon ta mbrojë edhe kur e shkarkon Vuçiq. Veç per kaq ja ka vlejtur që Vuçiqi ta quajë “shqiptar i Kurtit” . Për t’i zënë gojën Albinit.

Në fakt Kurtit ja zë gojën urrejtja që ka për çdo faktor shqiptar në Ballkan që nuk është kukull e tij.

Dhe arsyeja është se Arifi nuk ishte kukull as e tij, as e Vuçiq. Ata që nuk janë kukulla shkarkohen. Kukullat e Albinit në Veri janë të dënuar të qëndrojnë aty, derisa të dojë Vuçiqi tani.

Të ngjashme