Lajme
Ikja e radhës e Kurtit | Kur ishin në opozitë u mjaftonin raportet e ekspertëve për interpelancë për korrupsionin, tani nuk u mjaftojnë as raportet e DASh-it dhe “Freedom House” (Dokument)
Demokracia
08:19 | 26 Prill 2024

Share:

Më 28 mars 2018, Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit i mjaftonte një raport i hartuar nga 3 ekspertë të angazhuar nga Bashkimi Evropian (Maurizio Varanese, Theo Byl dhe Camelia Bogdan) që të thërrsinin interpealancë në Kuvend për të debatuar për korrupsionin në Kosovë.

“Për ne është e qartë se korrupsioni i nivelit të lartë, ku përfshihen dhe zyrtarë të lartë në institucionet e Kosovës, përfshirë qeverinë, ndërmarrjet publike dhe agjencitë e institucionet e pavarura ka mbërritur nivele alarmante dhe përbën rast shembullor të kapjes së shtetit”, thuhej në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan Demokracia.com.

Por, situata ka ndryshuar me Lëvizjen Vetëvendosje të kryeministrit Albin Kurti.

Më 25 prill 2024, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila është shumicë në Kuvendin e Kosovës, kanë refuzuar kërkesën e partisë opozitare, PDK-së, për debat parlamentar lidhur me gjetjet në raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe të “Freedom House”.

Publikimi i dy raporteve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njëri shtetëror i publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), tjetri i organizatës ndërkombëtare “Freedom House”, ka tronditur Qeverinë Kurti.

Lexo më shumë:

“Korrupsioni serioz i Qeverisë” | Kurtin e tmerron raporti i DASh-it, VV voton kundër kërkesës së PDK-së për debat parlamentar

22 PRILL 2024 – DASH: KORRUPSIONI SERIOZ I QEVERISË

Në raportin e publikuar nga Departamenti i Shtetit për të Drejtat e Njeriut për vitin 2023 mbi Praktikat e Vendeve për të Drejtat e Njeriut, thuhet se nuk pati ndryshime domethënëse gjatë vitit 2023 për situatën e të drejtave të njeriut në Kosovë.

Sipas raportimit nga “Zëri i Amerikës”, që i pari publikoi artikullin për këtë raport, përmendet edhe “korrupsioni serioz i Qeverisë”.

“Të dhënat e publikuara në këtë raport thonë se ndër raportimet më të rëndësishme në lidhje me të drejtat e njeriut ishin problemet serioze me pavarësinë e gjyqësorit, kufizimet serioze ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, përfshirë edhe nëpërmjet dhunës apo kërcënimeve ndaj gazetarëve, korrupsioni serioz i qeverisë, dhuna e gjerë me baza gjinore, përfshirë dhuna në familje, apo ndaj partnerëve, si dhe krimet e dhunshme apo kërcënimet për dhunë ndaj pakicave etnike dhe komunitetet e tjera”, njoftoi “Zëri i Amerikës” më 22 prill 2024.

24 PRILL 2024 – “FREEDOM HOUSE”: KORRUPSIONI ÇËSHTJE SERIOZE SHQETËSUESE NË KOSOVË

Goditja e dytë për Qeverinë Kurti nga përtej Atlantikut erdhi dy ditë më pas, më 24 prill, përmes organizatës ndërkombëtare “Freedom House”, me seli në Uashington, e cila ka publikuar raportin vjetor për vitin 2023, me titull “Nations in Transit 2024”.

Në këtë raport vlerësohet se Qeveria aktuale e Kosovës dukshëm nuk ka arritur të përmirësojë funksionimin e brendshëm të shtetit apo zbatimin efektiv të reformave, pavarësisht stabilitetit në qeverisje, meqë Lëvizja Vetëvendosje – partia në pushtet, gëzon shumicën në Kuvend.

Raporti i “Freedom House” ndër të tjera ka vlerësuar se korrupsioni në Kosovë“ vazhdon të mbetet një çështje serioze shqetësuese në Kosovë”.

Kosova, sipas raportit të Freedom House, nuk ka pasur një strategji formale kundër korrupsionit që nga viti 2018.

“Qeveria e Kosovës ka hartuar një strategji kundër korrupsionit që nga maji i vitit 2023, por procesi është ndërprerë për shkak të divergjencave të brendshme brenda grupit punues, gjë që rezultoi me deklarata publike në maj, ku kryeministri Kurti akuzoi opozitën për bllokim të progresit”. /Demokracia.com/

Të ngjashme