Lajme
“Duhet ta lëmë të qetë BQK-në” | Kurti me mesazh të ashpër për SHBA dhe BE
Demokracia
19:02 | 31 Janar 2024

Share:

“Vendimet BQK-së janë të pavarura dhe BQK-ja është institucion i pavarur. Rregulloret që ata i miratojnë janë krejtësisht në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Unë besoj se duhet ta lëmë të qetë BQK-në dhe guvernatorin Ahmet Ismailin që ta bëjë punën e tij, ashtu siç e ka fituar besimin në Kuvendin e Republikës tonë”.

Ky është mesazhi i ashpër i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimit Evropian (BE), të cilin ua dëroi të mërkurën, më 31 janar 2024, pak kohë pasi kërkuan që të shtyhet për një kohë të caktuar zbatimi i rregullores së BQK-së, në të cilën rregullohet edhe çështja e përdorimit të “Dinarit” serb në Kosovë, shkruan Demokracia.com.

Lexo më shumë:

Kurti del prapë kundër kërkesës së SHBA dhe BE: Rregullorja e BQK-së për “Dinarin” është e panegociueshme

Më 17 janar 2023, BQK njoftoi për vendimin e datës 27 dhjetor 2023, me anë të të cilit kishte miratuar Rregulloren për Operacionet më Para të Gatshme, e cila do të hyjë në fuqi më 1 shkurt 2024.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe ambasadat e shteteve të tjera që përbëjnë QUINT-in kanë reaguar dhe kanë kërkuar njëzëri që të shtyhet zbatimi i rregullores së BQK-së me qëllim që qytetarët që preken nga ky vendim të informohen më shumë për ndryshimet.

Reagimi i ashpër i kryeministrit Kurti mund të thellojë edhe më shumë përplasjen me aletatët e Republikës së Kosovës, të cilët nuk kanë kërkuar anulimin e rregullores së BQK-së, por vetëm shtyrjen e zbatimit të saj.

28 JANAR 2024 – QUINT-i: “DINARI” TË BËHET TEMË E DIALOGU

Në reagimin e përbashkët të Ambasadave të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, kanë mirëpritur qëllimin e BQK-së me rregullore për refuktimin e parave të falsifikuara, ruajtjen e stabilitetit financiar dhe rritjen e transparencës së flukseve të parasë në Kosovë.

Megjithatë, sipas QUINT-it kjo Rregullore “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe. Ne jemi të shqetësuar për ndikimin e rregullores në veçanti në shkollat dhe spitalet, për të cilat asnjë proces alternativ nuk duket i zbatueshëm për momentin. Rregullorja gjithashtu do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës dërrmuese të serbëve të Kosovës që marrin pagesa/ndihma financiare nga Serbi”.

Gjithashtu, QUINT-i ka treguar se çështja ka shkuar deri te kryeministri, derisa kanë kërkuar që kjo të diskutohet në dialogun Kosovë – Serbi. “Pas një shkëmbimi për këtë çështje me Kryeministrin të premten, Quint-i kërkon pezullimin e zbatimit të rregullores për të mundësuar një periudhë të mjaftueshme tranzicioni dhe për komunikim të qartë dhe efektiv publik. Çështja duhet të diskutohet më tej në kuadër të Dialogut të Lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në deklaratën e QUINT-it.

29 JANAR 2024 – SHBA KËRKON SHTYRJEN E ZBATIMIT TË RREGULLORES

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë mjaftuar me reagimin e përbashkët si pjesë e QUINT-it, por ambasadori amerikan ka shkuar edhe personalisht në Bankën Qendror të Kosovës, ku është takuar me Guvernatorin e saj dhe ka paraqitur kërkesën e qartë për autoritetet e Republikës së Kosovës.

“Sot pata një takim produktiv me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili. Përsërita shqetësimet e SHBA-së për zbatimin e rregullores së ndryshuar për operacionet me para. Ne kërkojmë që zbatimi të shtyhet për të lënë kohë të mjaftueshme për tranzicion efektiv dhe komunikim publik për të zbutur ndikimin negativ te qytetarët”, ka shkruar ambasadori amerikan, Jefreey Hovenier.

29 JANAR 2024 – BASHKIMI EVROPIAN KËRKON DIALOG PËR “DINARIN”

Një temë që i takon rregullimit të brendshëm të Republikës së Kosovës, mund të shndërrohet në temë të dialogut Kosovë – Serbi. Kërkesa e tillë veçse ka ardhur nga Bashkimi Evropian, në reagimin e tyre të para dy ditëve.

“BE-ja ka marrë në dijeni rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për përdorimin e parave të gatshme, që ka për qëllim zvogëlimin e falsifikimit, të ruajë stabilitetin financiar dhe të rrisë transparencën e qarkullimit të parave të gatshme në Kosovë. Megjithatë, kjo ngrit shqetësimet lidhur me ndikimin që do të ketë në komunitetet me shumicë serbe, veçanërisht në shkolla dhe spitale, për të cilët asnjë proces alternativ nuk duket i duhur në këtë moment. Rregullorja po ashtu ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës së madhe të serbëve të Kosovës, të cilët marrin pagesa dhe asistencë financiare nga Serbia”, ka deklaruar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano dhe bëri thirrje që kjo çështje të kaloi në dialog.

“Duke pasur parasysh pasojat eventuale të kësaj rregulloreje në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, BE-ja pret që aspekti i cili lidhet me komunitetin serb në Kosovë të adresohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë Stano. / Demokracia.com /

Të ngjashme