Lajme
Osmani: Rrugëtimi deri këtu nuk ishte i lehtë, kapitulli i luftës për shumë nga ne s’është mbyllur ende
Demokracia
18:50 | 17 Shkurt 2021

Share:

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, në ceremoninë shtetërore të 13-vjetorit të Pavarësisë, ka thënë se Kosova ka ende punë përpara.

Me rastin e 13-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në organizimin e pritjes shtetërore, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova sot është veshur në të kaltër dhe se diellin e ka praruar një ngjyrë e artë.

Osmani në fjalimin e saj theksoi se për këtë ditë e për çlirimin e Kosovës u sakrifikuan shumë bija e bijë të Kosovës, ku theksoi se rezistenca paqësore e ish-presidentit Rugova ndaj një regjimi gjenocidal dhe lufta e UÇK-së në krye me komandantin Jashari dhe familjen e tij, kurorëzuan përpjekjet për liri e pavarësi.

“13 vjet shtet s’janë shumë por janë histori e tërë e përmbledhur për shtetin ndër më të rinjtë në botë e që po bëhet vend ku ne e miqtë ndihen si në vend të vet. Përulemi para përpjekjeve për sakrifica për të bërë vendin të pavarur, para shumë grave e burrave patriot që ruajtën dhe shpëtuan identitetin tonë . Jemi këtu falë përpjekjeve të të gjithëve për ta bërë shtetin tonë, të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim. Rezistenca paqësore e ish-presidentit Rugova ndaj një regjimi gjenocidal dhe lufta e UÇK-së në krye me komandantin Jashari dhe familjen e tij kurorëzuan përpjekjet tona për liri e pavarësi. Për këtë ditë dhanë jetën shumë heronj dhe heroina të cilët do të kujtohen përjetësisht. Nën udhëheqjen e këtyre figurova emblematike mësuam se qëllimet madhore kombëtare as nuk mund të përballohen e as realizohen pa unifikim”, tha Osmani.

Ajo shprehu falënderimin e veçantë për të gjithë miqtë ndërkombëtar të Kosovës të cilët ndihmuan që Kosova të arrijë këtu ku është sot. Osmani po ashtu theksoi se, rrugëtimi i Kosovës deri këtu s’ka qenë fare i lehtë.

“Padyshim se rrugëtimi ynë deri këtu s’ka qenë i lehtë e fatkeqësisht për shumë nga ne, kapitulli i luftës ende s’është mbyllur gjersa lirinë që e gëzojmë sot ia kemi borxh qytetarëve tanë. Kjo përpjekje e jona për shtet s’do të arrihej pa ndihmën e miqve tanë ndërkombëtarë, përulemi dhe falënderojmë të gjithë gratë e burrat e NATO-s, Shtetet e Bashkuara e Mbretërinë e Bashkuar dhe të gjitha shtete anëtare të BE-së që na dhanë mbështetje të fuqishme për lirinë, shtetin dhe Kosovën tonë. Miqtë tanë ishin me ne në ditët më të vështira të historisë sonë të re, sikurse janë edhe sot, 22 vjet pas çlirimit, 13 vjet pas shpalljes së pavarësisë. Si Presidente në detyrë, në emër të popullit të Kosovës dua t’i falënderojë të gjithë pafundësisht.13 vjet nga shpallja e pavarësisë kemi bërë shumë hapa përpara, por jemi të vetëdijshëm se kemi ende shumë punë për të bërë”, tha ajo ndër të tjerash. /Demokracia.com/

Të ngjashme