Sport
Nuk u pagua tre muaj nga Antalyaspori, FIFA i jep të drejtë Zymer Bytyqit – shkëputet kontrata
Demokracia
18:30 | 24 Prill 2024

Share:

Telegrafi ka mësuar se Zymer Bytyqi nuk është paguar për tre muaj nga Antalyaspori dhe e ka shkëputur kontratën, pas vështirësive në negociata për t’u realizuar një proces i tillë.

Fillimisht, reprezentuesi i Kosovës i kishte dhënë kohë klubit turk që t’ia kryente të gjitha obligimet, por këta të fundit nuk kanë reaguar në lidhje me situatën.

Bytyqi është detyruar që të gjithë situatën ta kalojë në instancat më të larta, siç është FIFA, për t’i dhënë një epilog rrëmujës së shkaktuar nga Antalyaspori.

Shtëpia e futbollit botëror ka reaguar menjëherë, duke i dhënë të drejtë lojtari në të gjithë procesin, ndërsa fillimisht kishte masa lehtësuese për klubin turk.

FIFA kishte vendosur që Antalyaspori të kishte 15 ditë kohë që të kryente të gjithë pagesat nga lojtari, por siç mëson Telegrafi, një gjë e tillë nuk u realizua.

Për herë të dytë, FIFA ndërhyri për të marrë vendim të prerë, duke e detyruar Antalyasporin që t’i paguajë Bytyqit rrogat e mbetura deri në fund të kontratës, e cila skadon në vitin 2026.

Andaj, lojtari kosovar tani është i lirë për t’u bashkuar me një skuadër tjetër, ndërsa Antalyaspori përveç se do t’i paguajë tre muajt e fundit, po ashtu detyrohet të paguajë deri në fund të kontratës së anësorit.

Të ngjashme