Lajme
Ministria e Muratit i jep dy tenderë me mbi 63 mijë euro për kompaninë e familjarëve të ministrit Fikrim Damka
Demokracia
19:52 | 02 Qershor 2022

Share:

Skandaleve të Qeverisë Kurti nuk po iu vije fundi. Dy emra tashmë të njohur për skandalet me tenderë, Anil e Shefçet Damka, të afërmit e ministrit të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damkës, të dënuar edhe nga Gjykata, po vazhdojnë të shpërblehen me tenderë nga qeveria e drejtuar nga Albin Kurti.

Sipas dokumenteve që ka siguruar Gazeta Infokus, kompania “MEB” L.L.C, me drejtor Anil Damka, ka përfituar edhe dy tenderë në vlerë mbi 63 mijë euro. Familjarët e ministrit Damka u shpërblyen nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e drejtuar nga ministri, Hekuran Murati dhe një tjetër nga Komuna e Graçanicës e udhëhequr nga kryetarja, Ljiljana Subaric.

Në bazë të dokumenteve, kompania në krye me Anil Damkën dhe Shefçet Damkën i autorizuar i kompanisë, ani pse nuk i ka plotësuar kriteret duke qenë i dënuar nga Gjykata Themelore në Prizren për veprat penale, “Falsifikim i Dokumentit”, “Kanosje”, “Vjedhja e Shërbimeve” dhe “Shmangie nga tatimi”, ka arritur të sigurojë kontratë në vlerë prej 30.585,00 euro nga Ministria e udhëhequr nga Hekuran Murati për “Sigurimin fizik të objektit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore (FSSH).

Kjo kontratë në mes të operatorit dhe MFPT-së u nënshkrua me datën 4 prill të vitit 2022, pavarësisht se në këtë kohë Anil e Shefçet Damka tashmë ishin të dënuar nga Gjykata Themelore në Prizren e që bie ndesh me kriteret e përzgjedhjes së operatorëve ekonomikë në prokurimin publik.

Kontrata tjetër që kjo kompani në krye me të afërmit e ministrit Damka arriti të nënshkruajë është në vlerë 32.640,00 euro.

“MEB” L.L.C”, fitoi tenderin e Komunës së Graçanicës për “Shërbimet e sigurimit fizik për objektet komunale’.

Ky tenderë tjetër, në të cilin fitues u zgjedh kompania e Anil Damkës u nënshkrua me 31 maj të vitit 2022.

Sipas ligjit për Prokurim Publik të Republikës së Kosovës, operatori ekonomik nuk ka të drejtë që të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose në ekzekutimin  e ndonjë  kontrate  publike, nëse  operatori  i  tillë ekonomik, ndonjë drejtues, menaxher ose drejtor i saj gjatë dhjetë viteve të fundit është shpallur fajtor nga një gjykatë kompetente “për kryerjen e një vepre penale ose civile duke përfshirë praktikat e korrupsionit, larjen e parave, dhënien e mitos, avantazhe ose aktivitetet e ngjashme me ato të përshkruara në paragrafin 1. të nenit 130 të këtij ligji sipas ligjeve dhe rregulloreve në fuqi në Kosovë ose në cilindo shtet, ose në çfarëdo marrëveshje ose konvente ndërkombëtare”.

Kjo sipas paragrafit 3, nën paragrafët 3.1,  3.2,  3.3,  3.4,  3.5 dhe 3.6, si dhe paragrafi 5 i nenit 65 të LPP-ës sa i përket pranueshmërisë së tenderuesve.

Megjithatë kompania e të afërmve të Damkës, po vazhdon të jetë fituese e tenderëve publikë në institucionet shtetërore në vend.

Konkretisht, kompania “MEB” L.L.C dhe i autorizuari i kompanisë Shefçet Damka (SH.D.) janë dënuar sipas Aktgjykimit P.Nr.289/2019 të datës 18.02.2020 (Nr.lëndës: 2018:046216) për veprën penale “Falsifikim i Dokumentit”.

DOKUMENT

Anil Damka (A.D.) pronar i kompanisë dhe Sefçet Damka (S.D.) si i autorizuar i kompanisë (Drejtor) sipas Autorizimit të lëshuar me datë 26.03.2021 janë dënuar sipas Aktgjykimit Nr.649/2017 të datës 27.02.2018 për veprën penale “Kanosje”.

DOKUMENT

Po ashtu, Shefçet Damka (SH.D.) i autorizuar i kompanisë është dënuar sipas Aktgjykimit Nr.210/19 të datës 16.11.2021 (Nr.Lëndës: 2019:076135) për veprën penale “Vjedhja e Shërbimeve”.

Përsëri, Shefçet Damka (SH.D.) i autorizuar i kompanisë është dënuar sipas Aktgjykimit Nr.566/21 të datës 24.09.2021 (Nr.Lëndës: 2021:098827) për veprën penale “Shmangie nga tatimi”.

DOKUMENT

E një fakt që e rëndon edhe më shumë procesin e dhënies së kontratave është se Anil Damka, i cili u shpall edhe fajtor nga Gjykata pasi vetë vullnetarisht e pranoi fajin, dorëzoi edhe ‘DEKLARATË NËN BETIM’ për sigurimin e nënshkrimit të këtyre dy kontratave.

Kujtojmë që Anil e Sheqçet Damka u arrestuan në maj të vitit 2022,  të dyshuar për veprat penale “falsifikim i dokumenteve” dhe “keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

“Lidhur me rastin pas veprimeve hetimore është vërtetuar se të dyshuarit kanë paraqitur si referenca në dosjet e tenderëve në vitin 2021, referenca të cilat nuk i kanë fare të deklaruar qarkullimin në Administratën Tatimore të Kosovës dhe qarkullimin Bankar të Falsifikuar në një bankë, vlera e tenderëve të fituar sillet rreth 100,000.00 euro (një qind mijë euro)”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Ata fillimisht u ndaluan për 48 orë, ndërkohë që Prokuroria kishte kërkuar 30 ditë paraburgim ndaj tyre. Mirëpo Gjykata Themelore e Prishtinës kishte urdhëruar lirimin e tyre. Themelorja e ka refuzuar kërkesën për paraburgim të Prokurorisë, dhe ka obliguar Drejtorinë për hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit që “të lirohen menjëherë me datë 13.05.2022” të pandehurit Anil dhe Shefçet Damka, shkruan në vendimin e Gjykatës.

Të ngjashme