Lajme
Zelensky nënshkruan marrëveshje dypalëshe të mbrojtjes me Spanjën
Demokracia
15:48 | 27 Maj 2024

Share:

Spanja është zotuar për t’i ofruar pajisje ushtarake Ukrainës me vlerë të një miliard eurove këtë vit sipas një marrëveshjeje dypalëshe të nënshkruar të hënën mes presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe kryeministrit spanjoll, Pedro Sanchez, në Madrid.

“Është më e rëndësishme se kurrë më parë që ta ridyfishojmë mbështetjen tonë” – tha kryeministri spanjoll në një konferencë për gazetarë, raporton agjencia “Reuters”.

Në pakt bëhet thirrje për ofrimin e pajisjeve moderne ushtarake për përdorim tokësor, ajror detar dhe të formave të tjera, “duke i bërë prioritet nevojat kyçe për kapacitete të Ukrainës”, dhe me theks te mjetet detare për t’i mbrojtur rrugët e Ukrainës për transport të ushqimit, por nuk jepen hollësi.

Gazeta “El Pais” raportoi më herët të hënën se Spanja do të zotohej për t’i dhuruar Ukrainës 12 raketa të sistemit “Patriot” dhe 19 tanke të përdorura gjermane të tipit “Leopard 2A4”, si dhe armë të tjera të prodhimit spanjoll si pajisjet kundër dronëve dhe municioni.

Sipas gazetës spanjolle, në mesin e 12 raketave që do t’i dhurohen Ukrainës nuk përfshihen sistemet e plota të mborjtjes. Sanchez-i tha se nuk është e mundshme që Ukrainës t’i dërgohen raketahedhës “Patriot”, por se Spanja tashmë do t’i ofronte raketat.

Spanja gjithashtu u zotua për ta ndihmuar fuqizimin e industrisë së mbrojtjes të Ukrainës dhe për t’i hulumtuar mundësitë për prodhim të përbashkët, ndërsa palët u pajtuan që të punojnë për t’i zgjidhur pengesat në furnizimin e mbrojtjes dhe për të parandaluar çfarëdo qarkullimi të paligjshëm të materialeve të mbrojtjes që i ofrohen Ukrainës.

Zelensky u ankua këtë muaj se aleatët perëndimorë po vonohen shumë për të marrë vendime rreth mbështetjes ushtarake ndaj Ukrainës.

Ai gjithashtu tha se ishte duke i shtyrë partnerët për t’u përfshirë më drejtpërdrejt në luftë përmes ndihmës për t’i penguar raketat ruse mbi Ukrainë dhe duke i lejuar Kievit që të përdorë armë perëndimore kundër pajisjeve ushtarake të armikut që po grumbullohen afër kufirit.

Të ngjashme
Lajme • 17 Qershor 2024