Lajme
Macron akuzon protestuesit për shfrytëzimin e vdekjes së adoleshentit të vrarë nga policia
Demokracia
23:09 | 30 Qershor 2023

Share:

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka akuzuar protestuesit se kanë shfrytëzuar vdekjen e një adoleshenti për të justifikuar aktet e dhunës, sipas BBC.

Në një takim, presidenti i Francës tha se do të vendosen më shumë oficerë policie për të frenuar dhunën në vend.

Franca është tronditur nga tri netë trazirash pasi Nahel M, 17 vjeç u qëllua nga një oficer policie gjatë një ndalese në trafik.

“Vetëm të enjten mbrëma u kryen 875 arrestime”, sipas zyrtarëve.

Një natë më parë, qindra të tjerë u arrestuan dhe u plagosën, duke përfshirë 249 oficerë policie.

Macron tha se rreth një e treta e të arrestuarve për trazira ishin të rinj, ose shumë të rinj.

Duke iu lutur prindërve që të ndërmerrnin veprime, ai tha se ishte përgjegjësia e tyre për të mbajtur nën kontroll çdo fëmijë që synon të protestojë.

“Nuk është detyra e shtetit të veprojë, po e prindërve”, u tha ai gazetarëve pas një takimi të ministrave francezë.

Macron dënoi dhunën e tri ditëve të fundit me vendosmërinë më të madhe, ndërsa theksoi se vdekja e Nahel ishte përdorur për të justifikuar aktet e dhunës, duke e quajtur atë një shfrytëzim të papranueshëm të vdekjes së një adoleshenti.

Ai u kërkoi gjithashtu kompanive të medieve sociale si TikTok dhe Snapchat që të heqin videot me përmbajtje të ndjeshme, që ishin postuar dhe t’u japin autoriteteve emrat e njerëzve që përdorin shërbimet e tyre për të organizuar dhunën.

Nga Lille dhe Roubaix në veri deri në Marsejë në jug, dyqanet u plaçkitën në të gjithë Francën gjatë natës, rrugët u dëmtuan rëndë dhe makinat u dogjën.

Ministria e Brendshme tha se kishte pasur më shumë se 3 880 zjarre në rrugët publike, krahasuar me 2 391 të mërkurën.

Disa ngjarje publike janë anuluar gjithashtu, duke përfshirë dy koncerte të yllit të popit Mylène Farmer, të planifikuara në Stade de France, të premten dhe të shtunën mbrëma.

Kryeqyteti i Francës ka qenë në qendër të trazirave pasi Nahel i cili jetonte në Nanterre, një periferi e Parisit në veri-perëndim, u qëllua nga një oficer policie pas orës 09:00 të së martës.

Ai u qëllua pasi refuzoi të ndalonte gjatë një kontrolli në trafik dhe vdiq pasi shërbimet e urgjencës shkuan në vendngjarje.

Një video, e shpërndarë në internet pas vdekjes së Nahelit, tregonte dy oficerë policie që përpiqeshin të ndalonin automjetin dhe njëri drejtonte armën drejt shoferit.

Oficeri që qëlloi me armë zjarri është akuzuar për vrasje me dashje dhe i ka kërkuar falje familjes.

Vdekja e Nahel ka rindezur debatin rreth abuzimit sistematik të policisë franceze, duke përfshirë një ligj të diskutueshëm të vitit 2017 për armët e zjarrit, i cili lejon oficerët të qëllojnë kur një shofer injoron urdhrin për të ndaluar.

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut tha se trazirat ishin një shans për Francën, për të trajtuar çështjet e thella të racizmit në zbatimin e ligjit.

Një zëdhënëse në Gjenevë vuri në dukje një raport të fundit nga komiteti i OKB-së mbi eliminimin e diskriminimit racor, i cili dhjetorin e kaluar shprehu shqetësimin për disa aspekte të policisë franceze, duke përfshirë përdorimin joproporcional të kontrolleve të identitetit dhe vendosja e gjobave për grupe të veçanta etnike.

Të enjten, nëna e Nahel, Mounia drejtoi një marshim kryesisht paqësor me më shumë se 6 000 njerëz në Nanterre.

E veshur me një bluzë të bardhë të zbukuruar me sloganin “Justice pour Nahel” (“Drejtësi për Nahelin”), ajo tha se shpresonte që homazhi, do të ishte një mundësi për komunitetin në Paris dhe përreth tij për të kujtuar fëmijën e saj të vetëm.

Në orët e vona të pasdites, marshimi kaloi në dhunë, duke çuar në natën e tretë të trazirave.

Policia hodhi gaz lotsjellës ndaj protestuesve të maskuar, të cilët u vunë flakën objekteve të ndryshme, ku njerëzit mendohej se kishin dalë në rrugë deri në orët e para të mëngjesit të së premtes.

Të ngjashme