Lajme
“Kush do betejë politike me mua, betejë do të ketë” | Presidentja Osmani i kërcënon deputetët, i jep fund përfaqësimit të unitetit të popullit
Demokracia
09:16 | 18 Tetor 2023

Share:

“Nëse për arsye politike zgjedhin një rrugë të tillë [dërgimi në Gjykatë Kushtetuese], atëherë kjo për mua është vetëm betejë politike e jo ligjore dhe kushdo që do betejë politike me mua, betejë politike do të ketë”.

Kjo ishte përgjigjja e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, kur është pyetur të martën e 17 tetorit 2023, se mund të ketë deputetë që ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese mosdekretimin nga ana e saj e kandidatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për Kryeprokuror të Shtetit.

 

“Kush do betejë politike me mua, betejë do të ketë” | Presidentja Osmani i kërcënon deputetët, i jep fund përfaqësimit të unitetit të popullit

LAJMI I PLOTË: https://tinyurl.com/4maftew3

Posted by Demokracia on Wednesday, October 18, 2023

Kjo deklaratë e presidentes Osmani është në kundërshtim të plotë minimalisht me dy nene të Kushtetutës së Republikës së Kosovës [Neni 70 – Mandati i Deputetëve dhe Neni 83 – Statusi i Presidentit], shkruan Demokracia.com.

Së pari, me kërcënimin e saj, presidentja Osmani ka ndërhyrë drejtpërdrejtë dhe publikisht në punën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët sipas nenit 70 të Kushtetutës së Kosovës “nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues”. Sipas Osmanit, nëse një numër i caktuar i deputetëve do ta dërgonin një çështje në Gjykatën Kushtetutese të Kosovës, kjo nuk është shfrytëzim i një të drejte kushtetuese që u takon atyre dhe që kreu i shtetit do ta priste fjalën e institucionit kompetent të përcaktuar me Kushtetutë, porse ata do të merrnin një përgjigje nga ajo: betejë politike.

Së dyti, me kërcënimin e saj, presidentja Osmani është bërë palë politike, duke dalë kundër deputetëve [përfaqësuesve të popullit] që eventualisht mendojnë të ushtrojnë mandatin e tyre kushtetues dhe ta dërgojnë vendimin e presidentes për mosdekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit në Gjykatën Kushtetuese. Pra, me kërcënimin e saj, Osmani ka vepruar në kundërshtim me statusin e saj si përfaqësuese e unitetit të popullit, ndryshe nga siç kërkohet me nenin 83 të Kushtetutës.

Presidentja Osmani ka njoftuar më 17 tetor 2023 se ka vendosur që të mos e dekretojë për Kryeprokuror të Shtetit, Blerim Isufajn, kandidat i përzgjedhur nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Ndryshe, mësohet se Osmani shpreson në ish-partinë e saj dhe në kryetarin e tashëm të LDK-së, me të cilin shpeshherë koordinohet për veprime politike, që deputetët e LDK-së të mos i japin nënshkrimet për dërgimin e vendimit të saj në Kushtetuese. /Demokracia.com/

Lexo më shumë nga kjo konferencë:

“Isufaj nuk do të mund të bëhet Kryeprokuror” | Presidentja Osmani i nënshtrohet kryeministrit, e bën vendim deklaratën e Kurtit, nuk e emëron Kryeprokurorin

Skandaloze | Osmani me fjalor të Kurtit sulmon hapur segmente të shtetit të Kosovës: Nuk i besoj institucioneve të drejtësisë

Skandaloze | Presidentja Osmani nxiti qytetarët të mos i besojnë drejtësisë dhe të mos e denoncojnë krimin

Të ngjashme