Lajme
Qeveria kritikohet ashpër për qasje jo të duhur ndaj gazetarëve
Demokracia
15:05 | 03 Maj 2024

Share:

Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, regresi që ka shënuar Kosova në Indeksin e Reporterëve Pa Kufij, duke rënë për 19 vende, nga pozita 56 në 75, po konsiderohet gjendje shqetësuese dhe alarmante për mediat në vendin tonë.

Qasja jo e duhur e qeverisë ndaj mediave në Kosovë, po vlerësohet të jetë ndër shkaktarët kryesor për këtë rënie në renditje. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Komisioni i Pavarur për Media, në diskutimin e mbajtur për sfidat e ruajtjes së standardeve profesionale dhe kodit të etikës gjatë raportimit, theksuan se qeveria duhet të bëjë veprime konkrete në përmirësimin e situatës aktuale.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha tha se rënia për 19 pozita e Kosovës në raportin e Reporterëve Pa Kufij, duhet të jetë alarm për Qeverinë e Kosovës. Rexha potencoi se siguria e gazetarëve ka qenë dhe vazhdon të mbetet një shqetësim, derisa përmendi se vetëm gjatë vitit të kaluar janë shënuar rreth 30 sulme brenda pak javësh në veriun e Kosovës. Sipas tij, përmirësimi i kësaj situate është absolutisht në dorë të qeverisë, për çka bëri thirrje që ligji i ri i KPM-së, të mos dërgohet në miratim përfundimtar. 

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Michal Davenport potencoi se gjatë 12 muajve të fundit ka pasur rritje të dhunës drejt gazetarëve. Ai tha se fokusimi i OSBE-së ka të bëjë me konsolidimin e aftësive të gazetarëve, redaktorëve dhe mediave në përgjithësi, duke përfshirë edhe fokusimin në promovimin dhe integritetin e standardeve etike.

Se gazetarët po përballen çdoherë e më shumë me sfida gjatë raportimit të tyre, e theksoi edhe gazetarja, Gentiana Hasani. Edhe Hasani konsideron se qasja e qeverisë ndaj gazetarëve ka ndikuar në renditjen e Kosovës në raportin e Reporterëve Pa Kufij.Drejtori i Radios “ Romano Avazo”, Fatmir Menekshe tha se jo vetëm partia në pushtet, por edhe partitë e tjera po ndikojnë në pengimin e mediave për ta kryer punën  e tyre. Ai tha se kjo po ndikon jo vetëm te mediat qendrore, por edhe tek ato komunitare.

Në raportin vjetor të Organizatës Botërore “Reporterët pa Kufij” për vitin 2023, Kosova është ngritur për pesë vende (56) në krahasim me vitin 2022, kur renditej në pozitën 61. 3 Maji është Dita Botërore e Lirisë së Shtypit që nga viti 1993 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Të ngjashme