Lajme
“Kërcënimet nga lufta” si strehë e fshehjes së dështimeve dhe keqqeverisjes Osmani – Kurti
Demokracia
10:00 | 12 Tetor 2023

Share:

Është e çuditshme sesi dy drejtuesit kryesorë të Republikës së Kosovës, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti, e përmendin kaq shpesh se Kosova, një vend që sigurohet nga aleanca më e fuqishme ushtarake në botë, NATO, ballafaqohet me rrezikun e luftës nga Serbia.

Deklaratat për luftën dhe shfaqjet e drejtuesve shtetërorë me armë në duar janë bërë të shpeshta që prej ardhjes në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe zgjedhjes së Osmanit presidente dhe Kurtit kryeministër, shkruan Demokracia.com.

Në fakt, diskursi i tillë zyrtar ndikon negativisht në imazhin e Republikës së Kosovës dhe mund të sjellë dëme në ekonominë vendore, sepse ulë kapacitetet për investime të huaja, pasi askush nuk do të dëshironte të investonte në një shtet që mund të përfundojë në konflikt të armatosur.

“Lufta”, ka qenë kryefjalë e shumë deklaratave, sidomos të kryeministrit Kurti, jo vetëm në mediat vendore, por edhe ato ndërkombëtare.

Mbajtja e qytetarëve të Kosovës nën ankthin e tensioneve të vazhdueshme dhe rrezikut se në të ardhmen e afërt mund të përballen me një luftë tjetër me Serbinë, kanë lënë në plan të dytë funksionimin normal të Qeverisë dhe institucioneve kryesore shtetërore. E kjo si duket edhe po i shkon për shtati këtij pushteti për shkak të dështimeve të shumanshme në qeverisje.

Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti, të cilët erdhën në pushtet me premtime të mëdha për zhvillim ekonomik dhe lehtësim të jetës së qytetarëve të Kosovës, e kanë gjetur strehën ku mund të fshehin dështimin dhe keqqeverisjen e tyre që nga viti 2021.

Nuk e dinim se dikur gjithçka ishte më lirë derisa erdhi Albin Kurti me faturat e shtrenjta

Kjo strehë është “lufta”, ndonëse Republika e Kosovës sigurohet nga aleanca më e fuqishme ushtarake në botë dhe siç e ka bërë të ditur në një rast ambasadori amerikan, Hovenier, qindra ushtarë amerikanë e mijëra trupa të NATO-s janë garanci e rëndësishme e sigurisë.

Prej kohësh, kryeministri Albin Kurti ka bërë deklarata të fuqishme se Kosova rrezikohet nga një konflikt i ri me Serbinë.

“Nuk duhet ta neglizhojmë faktin se këto politika agresive të Beogradit, në një mënyrë apo në tjetrën, mund të shndërrohen në një sulm ndaj Kosovës. Jemi vigjilentë, por nuk kemi frikë. Nuk po them se ata do të na sulmojnë këtë javë apo javën e ardhshme, mirëpo do të ishte plotësisht e papërgjegjshme nga ana jonë që ta përjashtojmë mundësinë për rritje të tensioneve dhe konfliktit”, ka thënë kryeministri Kurti për agjencinë ndërkombëtare të lajmeve, Reuters, më 10 gusht 2022.

Këto deklarata të Kurtit kishin ngjallur reagimin interesant të komandantit të KFOR-it, Ferenc Kajari, i cili edhe pse jeta e tij e përditshme është nën uniformë ushtarake, i thoshte Kurtit se “nuk është mirë të flitet për luftë”.

“Përgjigjja më e thjeshtë është jo. Mendoj se lufta nuk është çështje relevante, besoj unë. KFOR-i nuk ka parë asnjëlloj indikacioni për një ngjarje të tillë. Nuk ka kërcënim për luftë në këtë pjesë, NATO dhe KFOR-i janë këtu. NATO për një kohë relativisht të shkurtër mund të shtojë trupa ushtarake dhe mjete shtesë nëse për këtë ka nevojë, por nuk është mirë të flitet për luftë. Këtë e kemi diskutuar edhe me kryeministrin Kurti”, deklaronte Kajari, më 23 gusht 2022.

Komandanti i KFOR-it: E kemi diskutuar edhe me Kurtin, nuk është mirë të flitet për luftë

Por, këto deklarata të komandantit të KFOR-it nuk e “bindën” kryeministrin Kurti, i cili pas një pauzë të shkurtër iu kthye sërish temës së luftës, më 17 shtator 2022. Ndërkaq, vetëm 10 ditë më pas, Kurti listonte katër arsye që e bëjnë të imagjinueshëm një konflikt me Serbinë, shkruan Demokracia.com.

Kurti i kthehet temës së luftës: Serbia po armatoset nga Rusia dhe Kina

 

Kurti sërish flet për luftë, liston katër arsye që e bëjnë të imagjinueshëm një konflikt me Serbinë

E për frikën e vazhdueshme të Kurtit për një luftë të re me Serbinë, kishte folur edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

“Por, do të them se fakti se në Kosovë është një mision domethënës i NATO-s, me qindra ushtarë amerikanë dhe mijëra trupa të NATO-s, është një garanci e rëndësishme e sigurisë për Kosovën. Gjithmonë ka rrezik, por mendojmë se ky rrezik po menaxhohet tash për tash dhe mendojmë se prania e NATO-s dhe puna jonë për të ndihmuar në zbutjen e tensioneve ka qenë e rëndësishme për ta arritur pikërisht këtë.”, kishte thënë Hovenier.

Frika e Kurtit për një luftë të re, Hovenier: Qindra ushtarë amerikanë e mijëra trupa të NATO-s janë garanci e rëndësishme e sigurisë

 

Pavarësisht prezencës së trupave të NATO-s në Kosovë, por edhe deklaratave të fuqishme amerikane për garantimin e sigurisë së Republikës së Kosovës, kryeministrit Kurti nuk i kanë mjaftuar që të largohet nga diskursi i luftës dhe të fillojë të merret edhe me problemet dhe krizën ekonomike në të cilën ndodhet Kosova, si shkak i së cilës me mijëra qytetarë po e lëshojnë vendin çdo muaj. /Demokracia.com/

Të ngjashme