Lajme
Nuk e dinim se dikur gjithçka ishte më lirë derisa erdhi Albin Kurti me faturat e shtrenjta
Demokracia
13:37 | 28 Janar 2023

Share:

“Aq lirë ka qenë energjia elektrike sa qytetarët nuk e kanë ditur se sa paguajnë”, thoshte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga foltorja e Kuvendit të Kosovës gjatë muajit janar 2022 kur po diskutohej për shtrenjtimin enorm të faturës së energjisë elektrike.

Kurti, vazhdoi edhe më tej të çudiste një Kosovë të tërë: “Kurrë nuk ka pasur numër më të madh të qytetarëve të Kosovës sesa në këto 4 vjet e fundit që nuk e dinë se sa paguajnë për energjinë elektrike. Aq lirë ka qenë sa nuk e kanë ditur sa paguajnë”, thoshte kryeministri Kurti.

Kurti, po e bënte këtë deklaratë pasi që ishte bërë kryeministër pas një fushate agresive dhe të dhunshme që akuzonte dhe kundërshtonte  të gjithë e për gjithçka, shkruan Demokracia.com.

Ai kishte arritur të krijonte tregimin te qytetarët e Kosovës se faturat që po paguanin ishin tepër të lartë. Madje, edhe faturat e rrymës për opozitarin Albin Kurtin ishin tepër të shtrenjta.

“Ne do ta dënojmë uljen e energjisë elektrike sepse është tepër shtrenjtë kur rrimë mbi gjithë këtë energji që kemi. Shumë kemi kapacitet”, kishte deklaruar Kurti më 26 shtator të vitit 2019.

Por, kur erdhi në pushtet ai nuk bëri asnjë hap për të ulur çmimin ekzistues të energjisë elektrike. Ai nuk bëri asgjë as për ta parandaluar ngritjen e çmimit të energjisë elektrike gjatë vitit 2021/2022. Përkundrazi, Kurti e mbështeti me arsyetimin se “ka qenë shumë lirë”. Sot, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të paguajnë çmimin mbi 100% më të lartë të energjisë elektrike.

Dhe jo vetëm për faturat, por edhe të gjitha produktet e shportës së një familje kosovare janë rritur.

“Buka, mielli, vaji, sheqeri, kripa, qumështi dhe arsimi në përgjithësi, me Lëvizjen Vetëvendosje dhe mua në Qeveri, këto do të përjashtohen nga TVSH-ja”, u premtonte Kurti qytetarëve të Kosovës. “Edhe buka me Lëvizjen Vetëvendosje në qeverisje, nga 36 cent që është mesatarja e çmimeve për muajin shkurt të vitit 2014 bëhet 31 cent, sheqeri nga 72 cent kilogrami bëhet 62 cent, qumështi nga 91 cent mesatarisht bëhet 78 cent”, specifikonte Kurti si të ishte një magjistar.

“Shporta e konsumatorit kosovar do të jetë më e rëndë për nga pesha dhe më e lirë për nga çmimi”, vazhdonte premtimin epik Kurti, si të ishte një njeri që kudo që shkonte mbante me vete një peshore.

Ai i përsëriti këto premtime me qindra e mijëra herë. Kudo ku shkonte ai i bënte këto premtime.

Por, ditën që Albin Kurti u bë Kryeministër harroi gjithçka mbi të cilën e ndërtoi opozitarizmin e tij. Ai harroi premtimet e tij për të lehtësuar jetën e qytetarëve të Kosovës që sipas tij, po bënin jetë tepër të vështirë për shkak të çmimeve tepër të larta.

Sikur të mos mjaftonin këto shtrenjtime, Qeveria Kurti e ka nisur vitin 2023 edhe me një barrë të rëndë mbi shpinën e qytetarit të Kosovës, duke e rritur tatimin në pronë në mbi 150% sidomos në zonat e qyteteve.

Në këtë kohë krize të madhe ekonomike, ku qytetarët përballen me papunësi dhe fatura tepër të shtrenjta, Albin Kurti është kundër që kjo të lehtësohet, të paktën për punëtorët që marrin paga nga buxheti i Kosovës. Ai është shprehur hapur kundër idesë për rritjen e pagave.

Arsyeja e tij ishte shokuese! “S’mund t’i rrisë pagat se është kundër popullit”, thoshte Kurti nga foltorja e Kuvendit të Kosovës më 4 gusht 2022.

Çuditërisht, kujdestari i rrejshëm i popullit, Albin Kurti nuk deklaroi kurrë se është kundër popullit rritja e çmimit të rrymës, millit, bukës, sheqerit, vajit, kripës, e shumë produkteve të tjera. Përkundrazi, të gjitha këto erdhën kur Albin Kurti erdhi në pushtet./Demokraica.com/

Të ngjashme