Eksportet e pijeve alkoolike greke në vitin 2023 thyen barrierën prej 100 milionë eurosh. Natyrisht rritja e çmimit luajti një rol vendimtar në këtë zhvillim, pasi sasitë e eksportuara u ulën me rreth 5% krahasuar me vitin 2022. Megjithatë, vlen të theksohet se eksportet e pijeve alkoolike greke janë rritur në vlerë me gati 40% krahasuar me vitin 2019 dhe me 5.21% në sasi.
Sipas të dhënave të Shoqatës greke së Prodhuesve të pijeve alkoolike – SEAOP, 76% e eksporteve shkojnë drejt vendeve anëtare të BE-së me destinacion kryesor Gjermaninë, ndërsa 20% e mbetur në vende të treta, ku më i rëndësishmi është Iraku.
Gjermania shfaqet vazhdimisht në vendin e parë, si vendi kryesor i eksportit të pijeve alkoolike greke, me 40% në vlerë, ose 42.5 milionë euro. Vendi i dytë më i rëndësishëm i destinacionit për pijet alkoolike greke pavarësisht rënies është ende, Iraku me një vlerë prej 14.6 milionë euro.
Në listën e vendeve kryesore eksportuese, pasojnë Bullgaria me 10 milionë euro, Holanda me 5 milionë euro, Austria me 3,8 milionë euro, Polonia me 3.7 milionë euro, Shqipëria me 2.9 milionë euro dhe SHBA me 2.2 milionë euro. Uzo është në krye të eksporteve greke të pijeve alkoolike, duke zënë në vitin 2023 58% të vlerës dhe 68% të sasisë.