Sport
Gjysmëfinale dramatike: Prishtina kalon në finale të Kupës së Kosovës duke e eliminuar Dritën
Demokracia
17:44 | 24 Prill 2024

Share:

Prishtina ka eliminuar Dritën nga Kupa e Kosovës, pasi as ndeshja e parë e as e dyta (koha e rregullt) gjysmëfinale nuk prodhuan gola, ndërsa bardhëekaltrit shënuan në vazhdime, për të fituar 1-0.

Ndeshjen më mirë e nisën kryeqytetasit, pasi rrezikuan qysh në minutën e gjashtë, por që Faton Maloku ishte i vëmendshëm.

Në minutën e 23-të, Drita kishte një shans të mirë shënimi me anë të Astrit Thaqit, por goditja e tij shkoi shumë pranë portës.

Skuadra nga Gjilani u detyrua të bënte zëvendësim të detyrueshëm në minutën e 41-të, kur nga loja i lënduar u largua Blerim Krasniqi, ndërsa në vend të tij u fut Ebuka.

45 minutat e dytë i nisën më mirë vendasit, kur rrezikuan me anë të Ebukas (47’), por që i kujdesshëm ishte Ardit Nika.

Dy skuadrat nuk ia dolën të shënonin gol në minutat e mbetur të kohës së rregullt, duke e çuar ndeshjen në vazhdime.

Pjesa e parë e vazhdimeve nuk solli gola, derisa e dyta nisi në mënyrë fantastike për Prishtinën, pasi Albert Dabiqaj realizoi auto-gol në minutën e 111-të për rezultatin 1-0.

Me këtë triumf, Prishtina ka kaluar në finale të Kupës së Kosovës, aty ku do të përballet me Ballkanin që eliminoi Suharekën.

Të ngjashme