Lajme
FOTO| Përkrahësi i LVV-së bëhet drejtor i spitalit në Gjilan pa magjistraturë e doktoraturë, kryesuesja e Bordit të SHSKUK-së për favorizimin e tij
Demokracia
14:17 | 19 Mars 2022

Share:

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës të premten ka shpallur rezultatet përfundimtare të konkursit për drejtorët e katër spitaleve rajonale, në Vushtrri, Mitrovicë, Pejë e Gjilan. Megjithatë, kryesuesja e Bordit të SHSKUK-së, Agreta Gecaj-Gashi, pretendohet se ka vendosur në pozita persona të afërt duke i favorizuar, ani pse nuk i kanë plotësuar kriteret e parapara sipas konkursit.

Katër kandidatë për drejtor të spitalit në Gjilan kanë treguar për Demokracia.com padrejtësitë që u janë bërë në këtë proces, duke thënë se drejtori i zgjedhur Arsim Emini është favorizuar nga Agreta Gecaj – Gashi.

Grupi i doktorëve i përbërë nga Besim Maliqi, Milaim Kosumi, Mirvete Kurteshi dhe Halil Ajvazi po kërkojnë që të anulohet konkursi, duke thënë se Emini nuk plotëson kriteret e kërkuara.

“Ne jemi të pakënaqur. Jemi katër mjekë që konsiderojmë se na është bërë e padrejtë. Neve na i kanë zbrit pikët në çdo formë të mundshme. Unë jam doktor i shkencave, i kam dy doktoratura, dy magjistratura, kam punime shkencore, siç kërkohej në konkurs, edhe kanë thënë që 15 pikë shtohen përmes CV-së. Mua më janë zbritur 9 pikë, faktikisht me një vend më janë hequr 6 pikë. Kundërkandidati që është zgjedhë drejtor, në intervistë me gojë, ik nga pikët e mija për 0.2. Unë i kam 40.6, ai i ka 40.8. Në test me shkrim, ai i ka 32 pikë nga 35 pikë të mundshme. Është vetëm specialist, pa magjistraturë, pa doktoraturë. Kurse, unë i kam 20 pikë, këtu ik me pikë për 40.6 për qind”, ka thënë doktor Halil Ajvazi nga ky grup i mjekëve për Demokracia.com.

Veç kësaj, të njëjtit, konsiderojnë se kryesuesja e Bordit të SHSKUK-së ia ka treguar pyetjet e testit paraprakisht drejtorit të zgjedhur Arsim Eminit, duke shtuar se ai nuk ka përvojën e kërkuar për ta marrë këtë detyrë.

Rezultatet e konkursit

“Kryesuesja e Bordit ia ka tregu pyetjet paraprakisht, unë nuk kam argument për këtë, por sa i përket përvojës menaxheriale, edhe spitali e di që ai i ka vetëm 9 muaj përvojë. Ai nëse e ka marrë ndonjë vërtetim prej ndokujt, e merr edhe kontratën, por ai në ATK nuk mund ta paguajë koeficientin që e ka pas për pozitë menaxheriale. Në konkurs shkruan, nëse nuk i ke 3 vjet përvojë menaxheriale, nuk ke të drejtë për konkurrim fare, Dr. Besim Maliqi, Dr. Milaim Kasumi, Dr. Halil Ajvazi të gjithë doktorë shkence dhe me pozita paraprakisht menaxheriale, eliminohen kurse zgjidhet personi që ka qenë ushtrues detyre pa pozitë menaxheriale, vetëm 9 muaj i ka si u.d. Ku po mbesin edhe 2 vite e 3 muaj? Faktikisht, ngjashëm ka ndodhë edhe në spitalet tjera. Shembull edhe në Pejë. Nuk jam kompetent të flas për këtë, por edhe atje Dr. Elezaj nuk është zgjedhur që është doktor shkence, por është zgjedhur ai që ka qenë ushtrues detyre”, kanë treguar nga ky grup i doktorëve për Demokracia.com.

Por, lidhja e Gecaj–Gashi me Eminin, sipas doktorëve në fjalë shkon edhe më tutje, pasi të dy i përkasin fushës së njëjtë të mjekësisë dhe janë anesteziologë.

“Agreta Gecaj është anesteziologe, edhe ky është anesteziolog. Drejtori klinik i Gjilanit është anesteziolog, ndërsa ai vetë në planin operativ për vitin 2021-2022 ka thënë se nuk ka qenë e mundur të realizohet për shkak të mungesës së anesteziologëve. Si është e mundur që anesteziologu që ka vetëm specializim, të bëhet udhëheqës, kur në konkurs thuhet se kanë përparësi doktorët e shkencave, që kanë tituj akademik, punime shkencore, përvojë menaxheriale”, ka thënë Ajvazi për Demokracia.com.

Demokracia.com i është drejtuar Zyrës për Media së SHSKUK-së në lidhje me konkursin, ku është thënë se të gjithë kandidatët e zgjedhur kanë plotësuar kriteret e kërkuara.

“Sigurisht, të gjithë kandidatët që kanë kaluar verifikimin paraprak kanë plotësuar kriteret dhe i janë nënshtruar procedurës së vlerësimit nga Komisioni Përzgjedhës. Pas publikimit të njoftimit, afati për ankesa është 15 ditë, por deri tani nuk ka pasur asnjë ankesë”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së për Demokracia.com.

Konkursi i SHSKUK-së
Kriteret e konkursit

Ndërkohë, drejtori i zgjedhur në spitalin e Gjilanit, Arsim Emini, për Demokracia.com ka mohuar të ketë pasur ndikim në përzgjedhjen e tij nga ana e kryesueses së Bordit.

“Pyeteni ata, çka ka rëndësi tash, unë qysh të them po a jo, a të mjafton kjo me të thanë unë veç po, jo? Po të them, nuk ka kurrfarë ndikimi në këtë konkurs”, ka deklaruar Emini për Demokracia.com.

Drejtori i zgjedhur Arsim Emini, sipas disa të dhënave që vetë i ka publikuar në llogarinë e tij në Facebook, nuk i figuron se e ka të përfunduar magjistraturën apo doktoraturën, siç kërkohet qartë në konkurs, por shkruan vetëm se është specializant.

Llogaria në FACEBOOK e drejtorit Arsim Emini

Demokracia.com në llogarinë e Eminit në Facebook ka vërejtur se ky i fundit është përkrahës i LVV-së, ku disa herë ka treguar simpatinë e tij për këtë subjekt politik.

Kryesuesja e Bordit të SHSKUK-së, Agreta Gecaj – Gashi, është e afërt me pushtetin e ri. Ajo është emëruar drejtuese e Bordit të SHSKUK-së nga kryeministri Albin Kurti bazuar në vendimin nr.01/17 të datës 27.03.2020 dhe që prej atëherë ka pasur shumë ankesa në drejtim të saj.

Demokracia.com ditë më parë ka raportuar se në SHSKUK ka pasur pakënaqësi të shumta ndaj Gecaj – Gashit edhe në konkursin për drejtor të disa klinikave. Kjo e fundit dyshohet se kishte shtyrë doktorët e tjerë të afërt me LVV-në dhe Listën Guxo për drejtorë të klinikave, gjë që i kishte shqetësuar kandidatët e tjerë.

Këto nuk janë ankesat e vetme ndaj Gecaj – Gashit. Në fillim të muajit mars disa deputetë të Kuvendit të Kosovës kërkuan që të shkarkohet i gjithë Bordi i SHSKUK-së, duke theksuar se në vitin 2021 janë bërë rreth 20 mijë operacione më pak.

Veç kësaj, Demokracia.com kishte publikuar edhe video të incizuara kundërligjshëm të një telefonate që Gecaj-Gashi ishte duke e zhvilluar me një doktor, por kishte publikuar edhe dokumente që vërtetojnë se ajo nuk e kishte respektuar as orarin e punës, duke u paraqitur shumë rrallë në detyrë, duke shkelur edhe rregullat e disiplinës, ku janë publikuar edhe foto të saj duke konsumuar duhan brenda objekteve të QKUK-së./Demokracia.com/

Lexo edhe:

DOKUMENT | Kryesuesja e Bordit të ShSKUK-së, Agreta Gecaj-Gashi, nuk e respekton as orarin e punës

Lexo edhe: 

Kryesuesja e Bordit të SHSKUK-së po i shtynë doktorët e afërt me LVV-në për drejtorë të klinikave, shpërthejnë pakënaqësitë

Të ngjashme