Lajme
Kryesuesja e Bordit të SHSKUK-së po i shtynë doktorët e afërt me LVV-në për drejtorë të klinikave, shpërthejnë pakënaqësitë
Demokracia
12:34 | 05 Shkurt 2022

Share:

Rreth një muaj më parë, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar ka shpallur konkursin për drejtorë të gjashtë klinikave në kuadër të QKUK-së. Konkursi është hapur për Klinikën e ORL-së, Neurologjisë, Psikiatrisë, Radiologjisë, Onkologjisë dhe Kirurgjisë së Fëmijëve. Megjithatë, lidhur me konkursin në Klinikën e Radiologjisë janë shprehur pakënaqësi për shkak të mënyrës së përzgjedhjes së kandidatëve, ndërsa është kërkuar edhe tërheqja e Agreta Gecaj – Gashi nga komisioni vlerësues, e cila njëherit është edhe kryesuese e Bordit të SHSKUK-së e emëruar nga pushteti i ri.

Shumë shpejt pritet të bëhet përzgjedhja e drejtorëve të rinj të gjashtë klinikave të SHSKUK-së. Për të marrë nën drejtim një nga këto klinika, kandidatët duhet të kenë arsimim të lartë universitar, thirrje akademike ose shkencore të lëmisë së caktuar. Në mungesë të tyre, përzgjidhen kandidatët nga radhët e specialistëve.

Demokracia.com ka mësuar se kanë shpërthyer shumë ankesa lidhur me kandidatët dhe përzgjedhjen e tyre në Klinikën e Radiologjisë.

Florim Shefqeti, avokat i doktorit Bujar Gjikolli, i cili është edhe në garë për drejtor të kësaj klinike, mësohet se është duke i trajtuar parregullsitë edhe juridikisht, pasi që ato janë evidente në mënyrën qysh po tentohet të përzgjidhet drejtori i kësaj klinike.

Sipas informacioneve që posedon Demokracia.com, avokati i Gjikollit ka kërkuar përjashtim të Agreta Gecaj – Gashit nga komisioni vlerësues, pasi që për shkak të pozitës që ajo mban në bordin e SHSKUK-së përbën konflikt interesi.

Në Radiologji për drejtor të kësaj klinike kanë kandiduar pesë drejtorë, prej të cilëve mësohet se dy janë me tituj akademik – shkencor dhe me përvojë menaxheriale, Serbeze Kabashi – Muçaj dhe Bujar Gjikolli. Ndërsa, tre të tjerët që kanë kandiduar, Agim Bregaj, Shkendije Nuza dhe Gani Morina thuhet se nuk kanë tituj akademik, por megjithatë menaxhmenti i ka thirrur që të gjithë pa seleksionim paraprak.

Kryesuesja e Bordit të SHSKUK-së, Agreta Gecaj – Gashi, sipas burimeve brenda QKUK-së, po mundohet që drejtoreshë ta bëjë Shkëndije Nuzën, e cila po ashtu shihet se i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Prandaj Dr. Agreta Gashi nuk mund të jetë prezente fizikisht e as të marrë pjesë në asnjë nga fazat e procesit të përzgjedhjes së drejtorit të Klinikës së Radiologjisë, as në procesin e vlerësimit të plotësimit ose jo të kritereve të aplikimit, të mos jetë prezente në sallë të testimit, të vlerësimit të testeve e as gjatë intervistimit dhe përmbylljes së vlerësimeve të kandidatëve për drejtor të Klinikës së Radiologjisë. Poashtu nëse e njëjta ka marrë pjesë në procedurën e vlerësimit paraprak konform nenit 68, dhe statutit neni 16, (për të cilën kemi kërkuar qasje në dokumente publike, por ende nuk na është ofruar), e që del të jetë procedurë e cila nevojitet të anulohet në tërësi”, thuhet në një pjesë të e-mailit të avokatit të Gjikollit, të cilin e ka parë Demokracia.com.

Lidhur me këtë situatë të krijuar është kontaktuar edhe doktor Bujar Gjikolli, por ky i fundit nuk ka pranuar të flasë për media, duke sugjeruar t’i drejtohemi Zyrës për Media të SHSKUK-së.

Demokracia.com ka dërguar pyetje edhe në Zyrën për Media të SHSKUK-së për këtë çështje, por deri në momentin e publikimit të artikullit ende nuk ka pranuar përgjigje.

Nuk dihet se kur do të përfundojë përzgjedhja e drejtorëve të mundshëm për këto klinika, ndërsa deri më tani nuk ka pasur raportime për anulim të procesit të ndonjërit konkurs, duke marrë parasysh ankesat për parregullsi./Demokracia.com/

 

Të ngjashme