Sport
Erdhi me shumë bujë te Llapi, por Progni në dy ndeshjet e fundit e “nxehu” stolin
Demokracia
14:11 | 29 Gusht 2022

Share:

U cilësua si një nga transferimet më të mëdha të afatit kalimtar të verës. Por, Gerhard Progni duket se te Llapi nuk po mund ta gjejë formën që e kishte vetëm një edicion më herët te Gjilani.

Sulmuesi nga Tropoja e Shqipërisë në dy ndeshjet e fundit kampionale të Llapit i ka nisur ato nga banka e rezervistëve, raporton Demokracia.com.

Në dy përballjet e vështira të Llapit në udhëtim, ndaj Dukagjinit (1:1) dhe në shtëpi kundër Prishtinës (1:2), kryetrajneri i Llapit, Tahir Batatina kishte vendosur që Progni të mos ishte në 11-shen startuese.

Në fakt, pakënaqësitë me Prognin, Batatina i ka pasur që nga barazimi 2:2 kundër Trepçës ’89 në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Batatina veçse e kishte paralajmëruar “zhgënjimin” e tij me anësorin shqiptar në deklaratë pas sfidës me 89-shin. Tekniku llapjan kishte kritikuar Prognin dhe Riveran për mos konkretizim të rasteve.

Nuk realizuam golat të cilat u desh t’i realizonim ku Progni e Rivera nuk ishin të vëmendshëm në portën bosh, duhet të jenë më të vëmendshëm. Janë dy lojtarë me eksperiecë. Futbolli nuk përfundon me 1:0, futbolli përfundon kur gjyqtari i bie pipit”, kishte deklaruar Tahir Batatina pas barazimit me “Minatorët”.

Megjithatë, Progni ishte aktivizuar në pjesën e dytë në ato takime, kurse ndaj Prishtinës arriti të asistonte në golin i cili nuk i ndihmoi ekipit shmangjen e humbjes.

35-vjeçari ishte golashënuesi më i mirë edicionin e kaluar në Superligën e Kosovës në futboll. Progni me fanellën e Gjilanit kishte realizuar 23 gola në 36 xhiro të zhvilluara.

Llapi këtë edicion ka synim titullin e kampionit, ndërkohë që pas katër xhirove të zhvilluara ka arritur të grumbullojë pesë pikë duke u renditur në pozitën e pestë tabelore.

“Bardhekaltrit” duelin e radhës e zhvillojnë në udhëtim te Drita dhe nuk dihet nëse Progni do të startojë nga minuta e parë./Demokracia.com/

Të ngjashme