Lajme
E lënë të vetmuar…| Pse Osmani dhe Konjufca nuk po e mbështesin publikisht Kurtin që zbatoi vendimin e Millosheviqit për 24 hektarët e Manastirit të Deçanit?
Demokracia
10:03 | 17 Mars 2024

Share:

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca po vazhdojnë të qëndrojnë të heshtur për vendimin befasues të kryeministrit Albin Kurti, i cili ka pranuar të zbatojë vendimin e Sllobodan Millosheviqit, i cili në vitin 1997 ia kishte dhuruar 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit.

Osmani dhe Konjufca nuk janë shfaqur në publik që nga data 13 mars 2024 kur Kurti njoftoi nga mbledhja e Qeverisë së Kosovës se ka urdhëruar Agjencinë Kadastrale të Kosovës që ta regjistrojë në emër të Manastirit të Deçanit tokën 24 hektarëshe, shkruan Demokracia.com.

Kurti ka mbetur i vetëm në mbrojtjen e vendimit të tij për të zbatuar “vendimin e Millosheviqit” dhe as Osmani e as Konjufca nuk janë shfaqur në mbrojtjen dhe arsyetimin e vendimit të kryeministrit.

Presidentja Osmani dhe kryeparlamentari Konjufca nuk kanë pasur ndonjë qëndrim publik të ri dhe nuk kanë treguar nëse e mbështesin zbatimin e këtij vendimi, pasi që të dytë nga pozicioni i tyre shtetëror kanë deklaruar në shumë raste se zbatimi i këtij vendimi paraqet rrezik të madh për Republikën e Kosovës.

2022 – OSMANI PARALAJMËRON RREZIKUN NËSE DO TË ZBATOHEJ KY VENDIM…

Osmani e ka parë atë si një vendim diskriminues të kohës së Millosheviqit dhe paralajmëronte rrezikun për zbatimin e këtij vendimi.

“Unë mendoj që ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm për precedentin që krijohet nga një vendim i tillë, sepse pastaj institucionet e Kosovës nuk mund të thonë ne po e zbatojmë një vendim, i cili buron nga koha e Millosheviqit, por jo edhe qindra e mijëra të tjerë. Pra, do të krijonte probleme marramendëse në Republikën e Kosovës”, deklaronte Osmani më 7 tetor 2022 në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Lexo më gjerësisht:

VIDEO | “Nuk mund të mos zbatohen edhe qindra-mijëra vendime tjera” | Paralajmërimi i Osmanit për rrezikun nëse zbatohet vendimi i Millosheviqit për Manastirin e Deçanit

“Vendim diskriminues i kohës së Millosheviqit”, thoshte Osmani vitin e kaluar për vendimin e Kushtetueses për pronat e Manastirit të Deçanit

2021 – KONJUFCA KËRKON MOSZBATIMIN E VENDIMIT DHE HETIMIN E GJYQTARËVE TË KUSHTETUESES

Më 15 dhjetor 2021, Glauk Kojufca nga kapaciteti i tij zyrtar e shtetëror si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, kishte vazhduar “betejën” e tij, të nisur në opozitë bashkë me Kurtin, kundër zbatimit të këtij vendimi. Konjufca në emisionin Rubikon të Klan Kosovës, ishte këmbëngulës në qëndrimin e tij se vendimi i Millosheviqit nuk duhet të zbatohet.

“Unë them që ai vendim nuk duhet të zbatohet, kam hyrë dhe e kam studiuar kuadrin ligjor jo të Gjykatës Kushtetuese, por kuadrin ligjor të pronësisë edhe të vendimit politik, kur është marrë dhe në bazë të cilit ka marrë Gjykata Kushtetuese. Dimensioni i parë për mua është skandaloz, është një vendim i vitit 1997 i Slobodan Millosheviqit. Unë duhet të jem i bindur, unë e kam trajtuar lëndën vetë. Mendoj se gjykatësit e Kushtetueses janë aty për të mbrojtur kushtetutshmërinë e Kosovës, po mendoj që në këtë rast nuk është mbrojtur”, deklaronte Konjufca.

Në një rast tjetër, në janar të vitit 2024, kryeparlamentari Konjufca kishte kërkuar që AKI-ja të përfshihet në procesin për të vërtetuar nëse kishte ndikime të jashtme “edhe prej Serbisë” në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Lexo më shumë:

Marrëzia e Kryeparlamentarit | Kurti urdhëroi t’i kalojnë 24 hektarë Manastirit të Deçanit, Konjufca kërkonte që AKI-ja t’i hetojë gjyqtarët e Kushtetueses nëse u ndikuan prej Serbisë

Konjufca edhe si opozitar kishte qenë i zëshëm kundër zbatimit të këtij vendimi. Madje, ai si Shef i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes kishte propozuar që vendimi të anulohej me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Vendimi i Millosheviqit i vitit 1997, nuk ka kurrfarë dyshimi që është vendim qartazi diskriminues, sepse ai i shpronëson edhe qytetarët e Republikës së Kosovës edhe komunën e Deçanit. Si rrjedhojë, të gjitha këto vendime që janë të kohës së Millosheviqit dhe të viteve 90-ta, ajo që na duhet si Kuvend i Republikës së Kosovës është që të anulohen me shumicë votash, këtu në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, delaronte Konjuca si shef i grupit parlamentar të Vetëvendosjes. / Demokracia.com /

Lexo më shumë:

Fundi i një tjetër mashtrimi… | Kurti e Konjufca premtonin se do ta anulonin vendimin e Millosheviqit për Manastirin e Deçanit, tani urdhërojnë zbatimin e tij

Të ngjashme