Lajme
“Vendim diskriminues i kohës së Millosheviqit”, thoshte Osmani vitin e kaluar për vendimin e Kushtetueses për pronat e Manastirit të Deçanit
Demokracia
13:20 | 13 Mars 2024

Share:

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar sot në mbledhjen e Qeverisë se i ka kërkuar Agjencionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për t’ia regjistruar pronën Manastirit të Deçanit.

Kurti në të kaluarën ka qenë njëri ndër kundërshtarët më të zëshëm që këto prona t’i jepen Manastirit. Në vitin 2022, ai e kishte quajtur “Vendim të Millosheviqit” këtë, shkruan Demokracia.com

Një mendim të ngjashëm e kishte pasur edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani që kundërshtonte zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ajo një viti më parë e kundërshtonte zbatimin e vendimit të Kushtetueses për Manastirin e Deçanit.

Osmani për “Radion Evropa e Lirë”, kishte thënë se ky vendim bazohet në vendimet diskriminuese të kohës së Millosheviqit.

“Aty kemi të bëjmë me një vendim që bazohet në vendimet diskriminuese të kohës së Millosheviqit dhe këtu është e gjithë përgjigja. Madje, edhe në vitin 1999 kur Kosova administrohej nga Kombet e Bashkuara, rregullorja e parë e UNMIK-ut në Kosovë lidhur me ligjet e aplikueshme në Kosovë pati paraparë që vendimet dhe ligjet e kohës së Millosheviqit nga marsi i vitit 1989 deri në qershor 1999 janë të pazbatueshme në Kosovë për shkak të natyrës së tyre diskriminuese. Mos harroni që Millosheviqi ka dhënë e ka marrë toka në vitet ‘90 pa asnjë kriter, pa asnjë vendim, pra komplet mbi baza diskriminuese. Dhe, madje, këtë e ka bërë edhe gjatë viteve 1998-‘99, kur kemi qenë në luftë, kur kryente gjenocid kundër popullit të Kosovës. Pra, ky është problemi themelor sa i përket këtij vendimi”, ishte shprehur Osmani.

Osmani kishte shkuar aq larg me kundërshtimin e zbatimt të këtij vendimi do të krijonte probleme marramendëse në Republikën e Kosovës.

“Unë mendoj që ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm për precedentin që krijohet nga një vendim i tillë, sepse pastaj institucionet e Kosovës nuk mund të thonë ne po e zbatojmë një vendim, i cili buron nga koha e Millosheviqit, por jo edhe qindra e mijëra të tjerë. Pra, do të krijonte probleme marramendëse në Republikën e Kosovës. Askush në Republikën e Kosovës nuk është kundër kishave ortodokse. Ne e shohim multietnicitetin dhe shumëllojshmërinë e religjioneve në Kosovë si vlerë, si pasuri. Askush nuk e sulmon Kishën Ortodokse Serbe. Përkundrazi, Kosova ka ligje për zonat e veçanta ku kishat dhe pronat e tyre i konsideron si zona të mbrojtura – ligje që nuk ekzistojnë në asnjë vend të Evropës. Pra, ne kemi shkuar përtej standardeve evropiane dhe ndërkombëtare sa i përket mbrojtjes që ofrojmë për kishat dhe Kishën Ortodokse në Republikën e Kosovës. Pra, është vlerë”, kishte thënë Osmani.

Kujtojmë se, vendet e QUINT’it tash e disa vjet shprehen të shqetësuar se nuk po respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin e Manastirit të Deçanit dhe vazhdimisht bëjnë thirrje autoriteteve të Kosovës që t’i lejojnë manastirit ta regjistrojë tokën në kadastër./Demokracia.com/

Të ngjashme