Sport
Dukagjinit i rikthehet për edicionin e ri edhe Millaku, futbollisti që këputi ligamentin para gjashtë muajve
Demokracia
15:34 | 09 Gusht 2022

Share:

Dukagjini po vazhdon me përgatitjet për edicionin e ri garues në Superligën e Kosovës në futboll, raporton Demokracia.com.

Ekipi nga Klina është përforcuar edhe me disa transferime në afatin kalimtar të verës, teksa ka arritur të ruaj edhe “boshtin” e skuadrës.

Kryetrajneri i ekipit Armend Dallku nga edicioni i ri do të mund të llogarisë edhe në shërbimet e mesfushorit këmbëshpejtë, Met Millaku. Ky i fundit ishte jashtë fushave të blerta nga shkurti i këtij viti për shkak të një lëndimi të rëndë në ligament të këmbës.

Megjithatë, Millaku tanimë e ka lënë pas lëndimin dhe është gati t’i ndihmojë bashkëlojtarët në arritjen e objektivave në sezonin e ri në elitë.

Millaku është parë në disa pamje të publikuara nga faqja zyrtare e klubit klinas duke stërvitur bashk me lojtarët e tjerë të Dukagjinit, madje me një disponim mjaft të lartë, duke lënë të kuptohet se lëndimin e rëndë ai e ka lënë pas shpine.

Demokracia.com ka kontaktuar me lojtarin në fjalë, derisa i njëjti ka konfirmuar se do të jetë i gatshëm për Dukagjinin në edicionin e ri, por vetëm pas pak javësh.

Jam duke stërvitur me ekipin. Mirëpo në lojë ende nuk mund të hyjë, të paktën deri në muajin shtator. Do të thoë nuk do jem i gatshëm edhe disa ndeshje në fillim të kampionatit. Kam punuar shumë prej lëndimit dhe pres të ndihmojë ekipin si gjithmon në vazhdim të kampionatit”, ka thënë për Demokracia.com futbollisti i Dukagjinit, Met Millaku.

24-vjeçari gjatë muajit shkurt në ndeshjen e Kupës së Kosovës kundër Gjilanit (2:1) e kishte këputur ligamentin ACL të këmbës dhe kësisoj iu nënshtrua edhe operimit.

Dukagjini e nis edicionin e ri në shtëpi, ndërsa kundërshtar do ta ketë Prishtinën e Ismet Munishit./Demokracia.com/

Të ngjashme