Lajme
Shoferi i “çlirimtarit” të Shtimes arrestohet në Gjermani
Demokracia
14:29 | 04 Maj 2024

Share:

Është arrestuar në Gjermani një zyrtar i Komunës së Shtimes. Demokracia.com ka mësuar se i arrestuari është shoferi i kryetarit Qemajl Aliu.

Shoferi i kryetarit të Komunës së Shtimes, Mustafë Halili, nga fshati Godanc i Ulët i Komunës së Shtimes është arrestuar nga Policia Gjermane në Stuttgart.

Demokracia.com ka mësuar se ai është ndaluar nga policia gjermane, deri sa po udhëtonte me kompaninë transportuese “Barileva Tours” dhe ishte dërguar në burg të hënën, më 29 prill 2024.

Shkas i arrestit nga policia gjermane dyshohet të jetë falsifikimi i dokumenteve që Halili pretendohet të ketë bërë përderisa kishte qëndruar në Gjermani kohë më parë dhe për të ekzistonte një urdhër ndaljeje nga policia gjermane.

Demokracia.com i është drejtuar edhe Komunës së Shtimes lidhur me këtë rast. Ata kanë pranuar se zyrtari i tyre ka udhëtuar për në Gjermani, por nuk e dinë nëse është arrestuar apo jo, deri sa kanë shprehur bindjen se i njëjti do të kthehet në punë javën e ardhshme.

“Ju njoftojmë se z. Halili ka kërkuar dhe i është miratuar një pushim prej 2 javësh për të vizituar motrën e tij në Gjermani, nga data 22 prill deri më datë 6 maj. Për momentin nuk kemi informacione të tjera lidhur me pretendimin tuaj, por ajo çfarë mund të ju informojmë është se me kthimin z. Halili në punë në javën e ardhshme, do të sigurojmë informacione shtesë nga ai vetë”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Shtimes për Demokracia.com.

Nëpërmjet telefonit, Demokracia.com ka kontaktuar edhe kompaninë “Barileva tours”, por agjentët e tyre nuk kanë mundur ta mohojnë dhe as pohojnë këtë. Ata kanë treguar se informata për udhëtarët nuk i japin askujt, përveç rasteve kur u kërkohen nga Policia. /Demokracia.com/

Të ngjashme