Lajme
DOKUMENTE| Këto janë tri marrëveshjet e mirëkuptimit të nënshkruara nga Kosova dhe Izreali
Demokracia
19:56 | 10 Maj 2022

Share:

Kosova dhe Izraeli i kanë nënshkruar tri memorandume mirëkuptimi në fushën e arsimit, kulturës, shkencës, kinematografisë dhe arkivit.

Marrëveshjet janë nënshkruar në Izrael nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla së bashku me homologun e saj izraelit, Yair Lapid, ku ministrja kosovare po qëndron për vizitë zyrtare tashmë dyditore.

Demokracia.com i ka siguruar draftet e këtyre marrëveshjeve. Në marrëveshjen për kinematografinë, Kosova dhe Izraeli do të bashkëpunojnë në bashkëprodhim të filmave. Në këtë marrëveshje thuhet se bashkëprodhimi i filmave do të bazohet sipas kësaj marrëveshjeje dhe duhet të miratohet nga autoritetet përkatëse.

“Kontributet respektive të producentëve të të dyja shteteve mund të luhaten nga 20 deri në 80 për qind për secilin film të prodhuar”, thuhet ndër tjerash në memorandumin e mirëkuptimit.

Marrëveshja e dytë e nënshkruar në Jerusalem ka të bëjë me bashkëpunimin në kulturë, edukim dhe shkencë.

“Palët duhet të inkurajojnë zhvillimin e bashkëpunimin në sferën e edukimit, kulturës, shkencës dhe sportit që do të ndihmojë në kontaktet ndërmjet të rinjve të të dyja shteteve”, thuhet në këtë marrëveshje, raporton Demokracia.com.

Marrëveshja për bashkëpunim ndërmjet Agjencisë Kosovare të Arkivit dhe autoritetit izraelit të Kujtesës “Yad Vashem, The Holocaust Martyrs and Heros”, është memorandumi tjetër ndërmjet Kosovës dhe Izraelit i finalizuar nga vizata e ministres Gërvalla.

Në këtë marrëveshje përmendet persekutimi i hebrenjve që kanë jetuar në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke përmendur shkëmbimin e dokumenteve, regjistrimeve dhe fajlleve që kanë të bëjnë me fatin e hebrenjve në Evropë gjatë LDB-së.

Në anën tjetër, siç ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, Gërvalla në takim me ministrin Lapid shprehu konsideratën e lartë për shtetin e Izraelit nga Qeveria dhe populli i Kosovës, duke vlerësuar njohjen dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit, si një ngjarje shumë të rëndësishme për Kosovën.

Gërvalla, siç theksohet në njoftim, tha se Izraeli është një ndër udhëheqësit botërorë në fushën e inovacionit dhe për këtë arsye njëra nga marrëveshjet përfshin bashkëpunim edhe në këtë fushë.

“Kemi bërë marrëveshje edhe në fushën e kinematografisë, duke pasur parasysh suksesin e vazhdueshëm të kinematografisë kosovare dhe bashkëpunimin me shtetet tjera, në këtë kuadër Izraeli ka shprehur interesim për bashkëpunim në këtë fushë”, tha Gërvalla në televizionin publik të Kosovës.

Duke folur nga Ambasada e Kosovës në Jerusalem, Gërvalla tha se pas takimit me Odën Ekonomike të Izraelit ka parë seriozitet tek pala izraelite që të investohet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, megjithëse theksoi se kjo do të varet edhe nga rrethanat e krijuara nga vendet pritëse.

Në takim me homologun e saj izraelit, ministrja Gërvalla e njoftoi homologun e saj edhe me angazhimin e Qeverisë së Kosovës për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe orientimin strategjik për integrime euroatlantike.

Në kuadër të kësaj vizite, Gërvalla vizitoi edhe qendrën përkujtimore Yad Vashem në Jerusalem, ku u njoh me historinë e Holokaustit.

Kosova dhe Izraeli më 1 shkurt të vitit 2021 nënshkruan një marrëveshje për “marrëdhënie të plota diplomatike”. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme