Lajme
10 muaj pas Marrëveshjes së Ohrit, Kurti e “kuptoi” dëmin e madh duke e lidhur përgjithmonë integrimin evropian me themelimin e Zajednicës dhe Statusin e Kishës Serbe
Demokracia
20:05 | 22 Janar 2024

Share:

“Duhet të ndahet procesi i anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E kuptoj se BE-ja në thelb e ka fqinjësinë e mirë, por duhet kuptuar se nuk është kollaj të normalizohen marrëdhëniet me një shtet që nuk e ka prioritet as perëndimin, as demokracinë”.

Kjo është deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e bërë nga Shkupi më 22 janar 2024, plot 10 muaj pas dakordimit të tij me Presidentin e Serbisë për Aneksin e zbatimit [Ohër, 18 mars 2023] të Marrëveshjes Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023], të cilën askush nuk e dëgjoi në Samitin BE – Ballkani Perëndimor, shkruan Demokracia.com.

Me anë të kësaj deklarate, kryeministri Kurti ka pranuar publikisht se e ka “kuptuar” me 10 muaj vonesë dëmin e madh që i ka bërë Republikës së Kosovës, duke e lidhur përgjithmonë procesin e integrimit evropian të vendit tonë me themelimin e Zajednicës për Komunat me Shumicë Serbe dhe me Statusin e Kishës Ortodokse Serbe.

Për më tepër, Kurti ka pranuar ta lidhë integrimin evropian të Kosovës me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, duke qenë plotësisht i vetëdijshëm, siç tha edhe në Shkup, se “nuk është kollaj të normalizohen marrëdhëniet me një shtet që nuk e ka prioritet as perëndimin, as demokracinë”.

REZULTATI I OHRIT: MARRËVESHJA DHE ANEKSI BËHEN PJESË INTEGRALE E PROCESEVE INTEGRUESE

Më 18 mars 2023, në Ohër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kanë arritur dakordimin për Aneksin e zbatimit për Marrëveshjen Bazë, e arritur mes tyre më 27 shkurt 2023.

Në pikën 2 të Aneksit të Ohrit thuhet se “palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE”.

“Palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët e kanë parasysh se, menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, ndërmjetësuesi i BE-së do të fillojë procesin për t’i ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë, për t’i konsideruar detyrimet e reja të Serbisë, që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi”.

Në Marrëveshjen Bazë të Brukselit, që përbëhet nga 11 Nene, Kurti ka pranuar edhe dy nene jashtëzakonisht problematike. Çështjet që rregullohen përmes këtyre neneve, i kanë ndihmuar Kurtit që të rritet politikisht duke i kundërshtuar fuqishëm ato.

“Zajednica/Vetëmenaxhimi për serbët” dhe “Statusi i Kishës Ortodokse Serbe”, janë themelet e Marrëveshjes Bazë të Brukselit. Por, me Aneksin e Ohrit, ato janë bërë pjesë e pandashme e rrugës së Kosovës për në Bashkimin Evropian. Suksesi i këtij anëtarësimi është i varur plotësisht nga niveli i zbatimit të këtyre marrëveshjeve.

Në Nenin 7 të Marrëveshjes së Brukselit [27 shkurt 2023], Kurti ka rënë dakord për të siguruar një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe që ta zyrtarizojë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.

Në pjesën e parë të këtij neni thuhet se “Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës”.

Ndërkaq, në pjesën e dytë të të njëjtit nen, thuhet se “Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”.

Si e zbuloi rastësisht Albin Kurti se rezultat i dialogut të tij është Neni 7 për Vetëmenaxhimin e serbëve dhe zyrtarizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe?

“Zajednica” e kundërshtuar më së shumti nga Kurti, ka gjetur vend në Nenin 10 të Marrëveshjes Bazë të Brukselit. Në një nen të vetëm, Kurti ka pranuar që të zbatojë të gjitha marrëveshjet që janë arritur në dialogun Kosovë – Serbi, ku bënë pjesë edhe Zajednica / Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. /Demokracia.com/

Të ngjashme