Lajme
18 mars 2023 | Një vit nga Marrëveshja e Kurtit që e kurthoi integrimin evropian të Kosovës me themelim të Zajednicës, vetëmenaxhim e autonomi për serbët
Demokracia
09:05 | 18 Mars 2024

Share:

Hapat e Republikës së Kosovës në procesin e integrimit evropian do të varen krejtësisht nga hapat që Qeveria e Kosovës do të bëjë për zbatimin e Marrëveshjes Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023] dhe Aneksin e zbatimit të saj [18 mars 2023].

Rezultati i negociatave të Ohrit në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka lidhur përgjithmonë fatin e anëtarësimit të Repubikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, shkruan Demokracia.com.

Që nga pranvera e vitit të kaluar, rruga e integrimit evropian është e lidhur detyrimisht me zbatimin e rezultateve të dialogut Kosovë – Serbi. E pjesë e këtij rezultati janë edhe marrëveshjet që për shumë vite i kundërshtoi me demonstrata të dhunshme në rrugë e Kuvend nga tashmë pranuesi i tyre, Albin Kurti.

Në Marrëveshjen Bazë të Brukselit, që përbëhet nga 11 Nene, Kurti ka pranuar edhe dy nene jashtëzakonisht problematike. Çështjet që rregullohen përmes këtyre neneve, i kanë ndihmuar Kurtit që të rritet politikisht duke i kundërshtuar fuqishëm ato.

“Zajednica”, “Vetëmenaxhimi për serbët” dhe “Statusi i Kishës Ortodokse Serbe”, janë themelet e Marrëveshjes Bazë të Brukselit. Por, me Aneksin e Ohrit, ato janë bërë pjesë e pandashme e rrugës së Kosovës për në Bashkimin Evropian. Suksesi i këtij anëtarësimi është i varur plotësisht nga niveli i zbatimit të këtyre marrëveshjeve.

Në pikën 2 të Aneksit të Ohrit thuhet se “palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE”.

“2. Palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët e kanë parasysh se, menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, ndërmjetësuesi i BE-së do të fillojë procesin për t’i ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë, për t’i konsideruar detyrimet e reja të Serbisë, që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi”.

JANAR 2024 – KURTIT I DEL GJUMI SHUMË VONË, KËRKOI TË NDAHET ‘DIALOGU’ NGA ‘INTEGRIMI’, POR U REFUZUA NGA BE-ja

Në përpjekje për të zhbërë gabimin e 18 marsit 2023, kur me Marrëveshjen e Ohrit e lidhi përgjithmonë integrimin evropian të Kosovës me themelimin e Zajednicës dhe zyrtarizimin e Statusit të Kishës Ortodokse Serbe, kryeministri Albin Kurti bëri gabimin e radhës.

Mungesa e një strategjie të qartë në dialogun e udhëhequr nga kryeministri Kurti ka sjellë gabimin e dyfishtë të palës kosovare, shkruan Demokracia.com.

Në njërën anë, Kurti ka ndërlidhur integrimin evropian me zbatimin e marrëveshjeve të kundërshtuara për një dakadë nga ai dhe subjekti i tij politik. Ndërsa, në anën tjetër, zhbërja e kushtëzimit nga Marrëveshja e Ohrit, siç kërkonte Kurti gjatë janarit të këtij viti, do të favorizonte edhe pozicionin e Serbisë, pasi e njëjta nuk do të duhej të normalizonte marrëdhëniet me Kosovës si kusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Çuditërisht, vetëm 10 ditë para se BE të fillojë kushtëzimin e anëtarësimit të Serbisë, Kurti prezantoi idenë që i shërben asaj për ndarjen e ‘Integrimit’ nga ‘Dialogu’. Por, një kërkesë e tillë ishte hedhur poshtë nga Bashkimi Evropian.

“Rruga evropiane për Kosovën dhe Serbinë, lëvizë nëpërmjet dialogut të normalizimit. Pa normalizim nuk ka aderim në BE”, deklaronte Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, më 24 janar 2024.

Lexo më shumë:

Të ndahet ‘INTEGRIMI’ nga ‘DIALOGU’ | Kurti me kërkesë që i shërben Serbisë për heqjen e kufizimeve për anëtarësimin e saj në BE (Dokument – Kapitulli 35)

Stano: Rruga evropiane e Kosovës varet nga dialogu për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë

 

Më 2 shkurt 2024, Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian, kanë nisur ndërtimin e një rrugë të re të raporteve mes BE-së dhe Serbisë.

Kjo rrugë e re është e qartë: Serbia nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian pa normalizuar më parë marrëdhëniet me Kosovën.

Këshillit të BE-së i dërgohet propozimi që kushtëzon anëtarësimin e Serbisë me zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën

Në rast se BE do të merrte parasysh kërkesën e kryeministrit të Kosovës, do të pasonte zhbërja e pikës 2 të Marrëveshjes së Ohrit për Kosovën dhe mund të ngjallte kërkesën e njëjtë të Serbisë, pra që të zhvlerësohet Kapitulli i 35-të i Dokumentit për Anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian dhe rrjedhimisht nuk do të fillonte as kërkesa e datës 2 shkurt 2024 për kushtëzimin e anëtarësimit të saj. / Demokracia.com /

Të ngjashme